Një javë e ngarkuar dhe plot me projekte të reja muzikore ishte kjo në të cilën kemi hyrë. Kjo është një nga javët me më shumë hyrje të reja për vitin 2023.
Këtë herë kemi plot 12 projekte të reja që i shtohen klasifikimit të “The Top List”. Ja se për cilat projekte bëhet fjalë…
Diona Fona dhe Lumi B kanë publikuar bashkëpunimin e tyre mjaft ritmik për këtë sezon veror, i cili titullohet “Bounce”. KiddMarioo është një artist i ri në industrinë muzikore, i cili së fundmi ka lançuar projektin e tij titulluar “13”. Grupi Jericho kanë risjellë, ashtu siç vetëm ata dinë, këngën “Ali Pasha i Janinës” në një version mjaft unik. Një dyshe mjaft interesante, siç janë Olsi Bylyku dhe Ronela Hajati kanë publikuar këngën “Si ke mujt”.
Capital T ka sjellë një ndër hitet e kësaj vere, duke mos e lënë pas stilin e tij unik të krijimit në këngën e re “Malli Mka Marr”. Një bashkëpunim tjetër vjen midis dy reperëve Ledri Vula dhe Lyrical Son, i cili titullohet “Omel”. Buta nga ana tjetër ka lançuar një këngë mjaft ritmike, së bashku edhe me një titull interesant siç është “M.P.U.Q.”. Loré, tashmë një artiste e re mjaft e suksesshme në tregun tonë, ka sjellë këngën “Funk It”.
Elai di gjithmonë se si të tërheqi vëmendjen e dëgjuesve dhe as këtë radhë nuk ka gabuar me publikimin e këngë së fundit “Ika”. Dedikimi i Luiz Ejllit për partneren e tij ishte ndoshta gjesti më romantik dhe në pjesën e refrenit, përmendet emri i moderatores. Kënga titullohet “Dedikim”, ndërsa në tekst ai i shpreh Kiarës dashurinë: “Ti e di je thesari im! Kiara, shpirtin ty ta fala”. Edhe pse Elvana Gjata ka sjellë fuqishëm shumë projekte të reja muzikore, ajo e mbylli muajin korrik duke publikuar edhe një tjetër titulluar “Pak”. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe një bashkëpunim fantastik midis Dhurata Dorës dhe RAF Camora, të cilët vijnë me “Palma”.