I ftuar nëpërmjet nje lidhje telefonike për emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë artisti Yon Idy. Yon ka ardhur së fundmi në “The Top List” me projektin e tij më të ri, “Don’t Break It”, që aktualisht renditet në vendin e 17-të.
I rritur në një familje ku muzika ka qenë gjithmonë e pranishme, babai i tij zotëronte një stacion radioje në Shkup, ndërsa edhe nëna punonte aty, Yon ishte i rrethuar nga tingujt që më vonë do ta frymëzonin. Nëse familja e tij nuk do të ishte e rrethuar me muzikë, a do të ishte ai një muzikant?
Mendoj se po. Babi, siç e the, ishte themeluesi i një radio stacioni këtu në Shkup. Edhe mami, edhe babi, janë fansa të muzikës rock. Gjithmonë mbaj mend që i vogël kam qenë gjithmonë i rrethuar nga muzika kur udhëtonim, kur hipnim në makinë. Në atë kohë dëgjonim CD.
Në fakt, është mëse e dukshme që të gjithë këta elementë që e kanë shoqëruar në jetë, ai i ka miksuar në muzikën e tij.
Po, mendoj se është mënyrë e mirë për ta përshkruar muzikën time. E ndjej që janë pjesa ime më e madhe në atë që shkruaj dhe performoj.
E teksa rritej kitarja ka qenë një ndër elementët e tij indentifikues. Me plotësimin e tij si artist erdhën edhe realizimiet muzikore, nga ku Yon zgjodhi që t’i këndojë në gjuhën angleze. Kjo vihet re edhe në projektin e tij më të fundit “Don’t Break It”. Përse ai ka bërë këtë zgjedhje, a ka dashur ai të synojë publikun e huaj?
Pikërisht, mendoj që kjo është arsyeja. Nuk mendoj që është plotësisht publiku i huaj, por është thjesht për të arritur një publik më të gjerë, që të kem mundësi ta publikoj kudo rreth botës.
Ky projekt tingëllon në fakt si një thirrje mes zemërimit dhe mallëngjimit, a vjen kjo nga një përvojë personale, apo është thjesht një mesazh për audiencën që preferon këtë tematikë?
Kjo këngë në fakt është bërë 4-5 vite më herët dhe isha në një lidhje ku nuk ndjehesha edhe aq mirë. Ndihesha sikur çdo gjë më ishte marrë. Ndihesha i përdorur nga personi tjetër dhe thoja ‘vetëm zemrën mos ma thyej’.