I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë artisti i njohur dhe shumë i dashur për publikun, Ardian Bujupi. Ai së fundmi ka bashkëpunuar me The Ironix për të sjellë projektin “Yarnana”, i cili këtë javë ka rrëmbyer vendin e parë në “The Top List”, Top Awards. Ardiani na ka folur më shumë për këtë këngë, projektet e ardhshme, çështjet e zemrës, si dhe mendimin për t’u kthyer një ditë përfundimisht në Shqipëri…
Si lindi ideja për të risjellë këngën “Yarnana”?
Më ka pëlqyer melodia gjithmonë, është më shumë nga jugu dhe e kam dëgjuar kur isha fëmijë kur bënim pushime në Shqipëri. Në studio donim të bënim një frymë afro house, më erdhi ideja për të marrë melodinë dhe kur ua tregova këngën The Ironix, u gëzuan shumë sepse është melodi e mirë edhe për ata jashtë Shqipërisë, që nuk dinë shqip. Është ndërkombëtare. Është një nga 4 këngët që kam me The Ironix në rrymën afro house.
Ndërkohë po xhiron dhe një klip në Tiranë, çfarë mund të thuash për këngën e re?
Projekti i dytë e ka të njëjtin stil si “Yarnana”, pra të marrësh motive të vjetra. The Ironix kanë marrë një këngë që e kanë bërë afro house. Ky është stili i afro house, të marrësh një këngë që ka ekzistuar dhe ta bësh të re, ky është stili, që ka një ‘summer vibe’. Edhe ky projekti i dytë ka marrë këtë stil, por nuk e tregoj se cilën këngë kemi në refren.
Me cilin artist do të doje që të vije me një bashkëpunim?
I kam kontaktuar ata që kam dashur, por faktikisht këtu në Shqipëri është një artist që nuk e kam parë prej kohësh dhe kur kam qenë në fillimet e mia të karrierës më ka ftuar në darkë me gruan e vet, ai është Alban Skënderaj. Nuk kam këngë me të, por që e kam menduar.
Ti jeton prej vitesh në Gjermani, çfarë të mungon nga Shqipëria?
Tani jam 33 vjeç dhe vjen një moshë që kur e ke shansin të vish më shpesh në Shqipëri dhe Kosovë, vjen ajo ndjenja që ‘po sikur të vish përfundimisht këtu’. Ka shumë gjëra, gjuha, tradita, dashuria, familja… Tani është zhvilluar Kosova dhe Shqipëria, dikur ka qenë më e vështirë të shkoje dhe për shkak të rrogave. Por tani është stabilizuar dhe ekonomia, është klima më e mirë, kam familjen… Për të gjitha këto gjëra e mendoj këtë, gjëra që atje nuk i kam.
Çfarë do të doje që fansat të mbanin mend nga ti?
Kam luftuar shumë për të mbërritur këtu ku jam dhe nuk jam dorëzuar kurrë. Kam pasur shumë faza në punën time ku nuk ka funksionuar gjithçka dhe prapë kam vazhuar. Motivimi është gjithçka. Ai që më njeh që nga herët e di që nuk jam dorëzuar kurrë, edhe kur nuk kam pasur shumë sukses.
Çfarë mund të na thuash për çështjet e tua të zemrës?
Unë jam shumë i lumtur dhe e kam një shoqe shumë të kuptueshme. Ajo është në Prishtinë për momentin dhe unë në Tiranë. Kam qejf që të kemi dhe pak distancë sepse pastaj kur bashkohemi është e bukur.