Ndeshja miqësore e 22 marsit mes Kombëtares tonë dhe Kilit në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma, edhe pse në fushë nuk na dha rezultatin që dëshironim, i bëri dhe njëherë bashkë shqiptarët, për të treguar se kur bëhet fjala për të mbështetur njëri-tjetrin, jemi gjithmonë aty. Magjisë së tifozëve shqiptarë në shkallët e stadiumit iu shtua dhe magjia e performancës së Besa Kokëdhimës, e cila gjatë pushimit të pjesës së parë të ndeshjes, e pushtoi stadiumin ku ishin të pranishëm afro 16000 spektatorë.
Emocione për njerëzit në stadium, emocione për Besën, emocione edhe për ne, teksa presim Eurovision-in. Maji po afron, shqiptarët kudo në botë janë entuziastë se skena e “Malmo Arena” në Suedi do të përqafojë ngjyrat kuqezi, me zërin e Besës që me siguri do të të na falë një përfaqësim dinjitoz.
Ajo interpretoi këngën “Zemrën n’Dorë” në Festivalin e 62-të të Këngës. Që kur artistja mori biletën e Eurovision, ajo bëri me dije se do të bëjë disa ndryshime në këngë. Dhe tashmë titulli i ri që i ka vënë këtij projekti është “Titan”, të cilin e ka sjellë të kompletuar edhe nga ana vizuale.