Ka kaluar thuajse një vit nga publikimi i saj më i fundit, “Amor”, i cili ka qënë pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards” por Besa është rikthyer sërish në listë dhe kësaj radhe më e fortë se kurrë, duke zënë kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
“C’est la Vie” është prurje më e re e Besës, me tekstin dhe muzikën e së cilës është kujdesur vetë ajo, duke sjellë një perlë muzikore. Ky projekt muzikor, i cili përkon me disa ngjarje të tmerrshme të ndodhura së fundmi në Shqipëri, tregon dhunën që meshkujt ushtrojnë ndaj femrave, duke treguar qartë dhimbjen që shkakton edhe tek fëmijët e pafajshëm.
“Mashkull lind por burra ka pak“, thuhet në një nga frazat e këngës, duke i dhënë kështu një shuplakë të gjithë atyre që vënë dorë mbi qënien më të ndjeshme që ekziston.
Vendi i parë i këngës së Besës këtë javë përkoi ekzaktësisht me Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e cila historikisht ka luftuar edhe ende lufton për të drejtat e saj, duke dhënë kështu një mesazh që meshkujt shqiptarë të refektojnë sadopak përmes tekstit të saj.
Komente mjaft pozitive ka marrë edhe videoklipi i këngës, i cili është prodhuar nga Nathanael Matanick dhe është interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga personazhet e përzgjedhur. Sa i përket instrumentalit, ai është krijuar dhe prodhuar nga BledBeats.
Ndërkohë që Besa e ka nisur këngën me një frazë të Bob Marley: “Një gjë e mirë rreth muzikës është fakti se kur të godet, nuk të shkakton dhimbje”, ne po e mbyllim këtë shkrim me një tjetër thënie: “Kur fjalët dështojnë, muzika flet”.