I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë artisti Mr.X, i cili ka dhënë më shumë detaje në lidhje jo vetëm me bashkëpunimin me Stine por edhe për eksperiencën e tij në fushën e muzikës. Gjithashtu ka treguar edhe çfarë projektesh na presin për të ardhmen nga artisti.
Si e ke pritur këtë 2022?
Siç thotë edhe vetë kënga, besoj do të kemi shumë adrenalinë gjatë udhëtimit të këtij viti.
Si erdhi bashkëpunimi?
Bashkëpunimi ka qenë një moment përpara projektit që unë kam nxjerrë para një muaji që titullohet “Fenomenale”, gjatë kohës aty në një lokal pashë Stinen, u afrova dhe shkëmbyem kontaktet. Pa projektet e mija dhe ramë dakord. Ishte një kënaqësi për mua sepse më ka pëlqyer shumë si këngëtar që i vogël.
Duke qenë se pjesëmarrja e tij e fundit ka qenë në “Top Fest 11”, pse gjithë këto vite pauzë?
Ka qenë për herë të parë për mua në televizionet shqiptare, kur jam kthyer sepse unë jetën time e kam ndërtuar në Greqi. Nga aty pastaj vazhdoi karriera, më pas jam shkëputur për një farë kohe sepse e kam lënë në 2014 dhe jam rikthyer tani. Këtë sezon që nga vera dhe tani brenda 3 muajsh kam nxjerrë 3 klipe. Për pjesën e pauzës ka qenë për një çështje familjare që nuk e bëj dot të ditur në këtë moment.
E kishe menduar veten dhe kthimin tënd në Shqipëri me plane të reja në muzikë?
Faktikisht suksesin e këngës nuk e prisja. Ndonjëherë të vjen aty ku nuk e pret. Me projektin e parë e pashë që isha mirë edhe me të dytin e pashë që isha akoma më mirë dhe mendova që pse mos të sjell një bashkëpunim, edhe pas Stines mendoj se do të ketë përsëri bashkëpunim.
Sa mendon se artistët shqiptarë i kanë realë klikimet?
Nuk mund të flas shumë hapur por sa për klikimet janë shumë të paktë ata që nuk i blejnë klikimet. Bën bujë kjo pjesë që këto gjëra ndodhin si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Nuk mund të blej dot klikime, mendoj që nëse blen klikime nuk është se ka ndonjë përfitim. Unë thjeshtë kam shumë sponsor, i pari është Instagram-i. Normal që edhe televizionet edhe radio-t të ndihmojnë që të njihesh.
Çfarë planesh ke për këtë periudhë? Si e gjete tregun shqiptar pasi u ktheve nga Greqia?
Rinia këtu në Shqipëri e ndjekin hip-hopin. Në Greqi pothuajse të gjithë reperat e mirë janë shqiptarë. Ka edhe një bashkëpunim që unë dua ta lë pak surprizë dhe nuk dua ta shpreh. Kënga do të jetë shqip dhe greqisht.
Cili nga bashkëpunimet është më i preferuari për ty?
Sigurisht që ky i fundit me Stine-n.
Cili është artisti ose artistja që ti do të doje të bashkëpunoje dhe me cilin nuk do të bashkëpunoje?
Nuk mendoj se mund ta them se me kë artist nuk do të doja të bashkëpunoja sepse tani çdo gjë rregullohet në studio por që do më pëlqente normal me Dafina Zeqirin. Ka një zë shumë brilant dhe do të më pëlqente sepse e kam pasur qejf që i vogël.
“Adrenalina ime” renditet në vend të 64-të të klasifikimit në “The Top List”.