Luiz Ejlli ka “thyer” rrjetin me hyrjen e tij në shtëpinë më të famshme të “BBV”. Edhe pse kishte vite i shkëputur nga muzika, ai vendosi të krijojë një projekt, së bashku me producentin Elgit Doda, brenda mureve të shtëpisë.

Me këtë rikthim të fuqishëm, ai u bë menjëherë pjesë e “The Top List” dy javë më parë. Shpesh fansat e kanë quajtur dhe si ‘luan’ e tani mund të themi me plot gojën se me suksesin e arritur, kjo fjalë i shkon shumë për shtat.

Që në javën e parë të hyrjes në Top Awards, votat e publikut arritën ta poziciononin menjëherë në vend të parë. E duket se Luizi nuk ka ndërmend të shkëputet nga froni.

Kjo është java e dytë radhazi që artisti vazhdon të qëndrojë në vend të parë të klasifikimit. Jo vetëm me këngën e tij, por Luizi vazhdon me sukseset e tij brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”.

Hashtagu i tij i krijuar nga fansat, #meluizin, ka kapur majat, duke lënë kështu mbrapa Noizyn. Epo, miq… duket se kemi para një mbret të ri të xhunglës. Se si do të jetë në vazhdim ecuria dhe suksesi i Luizit na mbetet të shohim…