Gushti ka hyrë me “motorët ndezur” dhe skena muzikore shqiptare po zien më shumë se kurrë. Vetëm ditët e para të muajit kanë sjellë një lumë publikimesh të reja, duke e kthyer këtë javë në një nga më të ngarkuarat për industrinë muzikore.

Artistët duket se nuk kanë ndërmend të lënë asnjë hapësirë bosh. Nga emrat më të mëdhenj të tregut deri te talentet e reja, të gjithë po hedhin në qarkullim projektet që shpresojnë të bëhen soundtrack-u i kësaj vere.

Në mesin e publikimeve që kanë tërhequr menjëherë vëmendjen është bashkëpunimi i shumëpritur Dhurata Dora dhe Gjesti me “Gasolina”, ndërsa Capital T është rikthyer me projektin “Behane”.

Edhe artistët e tjerë nuk kanë mbetur pas. Arinda Gjoni ka prezantuar “Hajde Kcena”, ndërsa Ardit Çuni dhe MC Kresha kanë bashkuar forcat në “Baluket e Ballit”. Me një projekt të ri është prezantuar edhe Anixa me “Ma Do”, ndërsa Bletapërtace ka zgjedhur të vijë me “Kush o Bleta?”.

Nga ana tjetër, Bleona ka publikuar “Era”, Zana ka sjellë “Smoke”, ndërsa Ledri Vula në bashkëpunim me Claydee kanë prezantuar “Jeta Ime”, një projekt që pritet të jetë pjesë e pandashme e playlist-ave verore.

Lista vazhdon me Elai dhe këngën “Ti e Din”, Lloch me “Anasjelltas”, si edhe Dafina Zeqiri, e cila ka zgjedhur të nisë gushtin me projektin “Syrin Tan”.

Publikimet e shumta tregojnë se artistët kanë vendosur të luajnë kartat e tyre më të forta pikërisht në javët e fundit të verës, në një moment kur konkurrenca për vëmendjen e publikut është në kulmin e saj.

Mbetet për t’u parë se cili prej këtyre projekteve do të arrijë të shndërrohet në hitin që do të dëgjohet më shumë gjatë javëve në vijim. Një gjë është e sigurt, gushti ka nisur me “zjarr”, ndërsa gara muzikore sapo ka hyrë në fazën më interesante.