Së fundmi Mentor Haziri ka qenë i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike në emisionin “Live From Tirana”, në Top Albania Radio. Mentori bëri bujë me revoltën për mospranimin e këngës së tij në Festivalin e Këngës për këtë vit. Ja se çfarë ka për të thënë ai:
Unë mendoj se jam zëri i së drejtës sepse me gjithë këtë përvojë, ndoshta që nga fëmijëria, diku 18-20 vite si artist dhe këngëtar në Shqipëri, të mos pranohet një këngë e punuar profesionalisht nga orkestrues të mëdhenj dhe këngë e bërë me dashuri dhe me përvojë nga unë. Të mos pranohet fare në festival, normal që unë e mbroj të drejtën time deri në fund.
A mori këngëtari ndonjë njoftim se kënga “Qëndro” nuk është pranuar në festival?
Absolutisht, asnjë lajm dhe përgjigje as nga RTSH, as nga festivali. E kam dorëzuar tamam në kohë dhe i kam plotësuar të gjitha kushtet e pranimit. Unë mendoj që kjo është bërë qëllimisht nga ‘komisioni i turpit’. Në të kaluarën kam besuar shumë në këtë festival sepse jam rritur me festivalin e RTSH-së. Ne në Kosovë kur kemi qenë në kohën e pushtimit serb, mbaj mend kur kemi blerë një satelit dhe kur doli TVSH-ja në atë satelit ne të gjithë shikonim TVSH-në dhe festivalin e RTSH-së dhe të gjitha këngët i dija përmendësh që fëmijë. Unë jam rritur me atë festival dhe njerëzit që kanë folur keq për atë festival, gjithmonë i kam kundërshtuar, kam thënë: “Jo, nuk është e vërtetë, janë llafe asgjë tjetër”. Por këtë vërtetova edhe vetë. Unë kam besuar në të kaluarën që këto çmime shiten koridoreve dhe është mëse e vërtetë. Ata kanë menduar që më mirë ta eleminojmë Mentorin sepse po doli Mentori në skenë atëherë nuk kemi çfarë t’i bëjmë.
A është vërtet “Qëndro” një këngë potenciale për të kontestuar dhe të tjerët? Lufta më e madhe është mes Alban Ramosaj dhe Ronela Hajatit. Mentor Haziri thotë se:
Kushdo që të shkojë nga ata unë i uroj shumë suksese dhe shpresoj të bëjnë më të mirën e brendshme që ta prezantojnë Shqipërinë. Unë mendoj që të dy kanë potencial, por ndoshta unë kam qenë rrezik për ata të dy. Dua të theksoj dhe një tjetër gjë që shumë e shumë njerëz, kompozitorë të famshëm dhe këngëtarë nga Shqipëria më kanë shkruar direkt mesazh e më kanë thënë: “Bravo se je dhe zëri ynë”. Jam dhe zëri i tyre për padrejtësitë që u bëhen artistëve dhe këngëtarëve në fesivale të ndryshme. Kështu që shumë mirë që jam zëri i tyre por unë jam dhe zëri i këngës time. Dua të them edhe që deklarata ishte e ngutshme nga ana ime, thashë besoj në kombin kosovar. Unë absolutisht nuk besoj, unë besoj në bashkimin kombëtar shqiptar, por ajo ishte momentale dhe nuk ka qenë e qëllimshme. Kurse përsa i përket kritikave të mia ndaj festivalit dhe ndaj atyre që nuk e kanë zgjedhur këngën nuk e heq asnjë pikë dhe asnjë presje.
Cili është qëndrimi që ka mbajtur Mentori ndaj komisionit përzgjedhës?
Nuk kam çfarë mbaj asnjë lloj qëndrimi ndaj tyre, tek unë janë treguar shumë të padrejtë, fundja përveç Ardit Gjebreas, unë as Eltonin nuk e njoh shumë mirë. Për mua është vërtetuar që ata definitivisht nuk dinë të vlerësojnë ose dinë shumë mirë të vlerësojnë dhe thonë ta eleminojmë më mirë në fillim Mentorin sepse në fund nuk kemi çfarë t’i bëjmë dhe se po doli në skenë publiku do të na shohë se ai këndon më mirë se filan fisteku, ky është plani që është bërë. Ai është një komison turpi dhe kur të dalin këngët do e vlerësoni vetë se a ja vlen apo jo të konkurroni në atë festival. Unë e lançova dje, në kohë rekord e kam bërë videoklipin për një ditë, vetëm që ta shohë publiku dhe audienca se a e ka merituar kjo këngë apo jo. Një këngë e bukur që ka mesazh shpresën dhe dashurinë, të mos pranohet kjo është mëse e qëllimshme. Po bëj shumë projekte, shumë këngë po vijnë, unë vetëm me kompozitorë të Shqipërisë punoj, me Eriona Rushitin. Ky shkëmbimi im kulturor me të Shqipërisë dhe Kosovës dhe dashurinë time idilike ndaj Shqipërisë nuk ma heq dot ai festival.
Lidhur me disa komente negative të publikut ndaj këngës së tij, kantautori shprehet se:
Unë i respektoj të gjitha, edhe kritikat. Nuk do të thotë që do u pëlqejë të gjithëve kënga. Në të kaluarën kur isha në Irlandë, pata kryer një kurs që të zbulosh talentët e rinj, që të bëhesh një artist i mirë. Aty mësova shumë si të vlerësohet muzika. Shqipëria dhe Kosova është mbizotëruar nga një muzikë e keqe e cila nuk ka asnjë vlerë dhe mendoj që gjithë kjo rini që po rritet me këtë muzikë që nuk përcjell një mesazh të mirë. Kjo gjë nuk ndodh në Amerikë, mund të ketë repera po atje janë 360 milion banorë. Nuk ka muzikë të keqe por ka muzikë të interpretuar keq. Një këngë duhet të ketë një refren hit që ta këndojnë të gjithë, duhet të ketë një shtrirje vokale që ti përshtatet harmonisë së akordave që performon instrumentisti. Kënga m’u dhimbs shumë sepse është një këngë që e bëra me dashuri dhe është punuar profesionalisht.
Aktualisht “Qëndro” renditet në vend të 22-të të klasifikimit të “The Top List”.