Mentor Haziri shpërtheu në deklarata dhe akuza të forta vetëm pak ditë më parë, kundër produksionit të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, pasi kënga e tij nuk u pranua për të marrë pjesë. Menjëherë pas kësaj, Mentori lajmëroi se kënga e tij do të publikohej së bashku me videoklipin, si një kundërpërgjigje ndaj atyre që e refuzuan.
Kjo këngë do të vijë së shpejti me videoklip dhe e shihni arsyen pse këta nuk e pranuan, sepse frikesohen nga e mira, nga origjinalja, nga muzika e vërtetë prandaj.
Dhe vërtetë kështu ndodhi. Këngëtari sapo publikoi projektin me të cilin u paraqit për të konkurruar në festival. Kënga e tij e re quhet “Qëndro” dhe është një projekt që të prek dhe të bën edhe më të ndjeshëm lidhur me situatën e pandemisë, të cilën ne ende po e përjetojmë.
Një këngë tek e cila mund ta gjejnë veten shumë persona që kanë kaluar vetë një situatë me personat e tij të afërm, por jo vetëm. Mentori e ka postuar dhe në llogarinë e tij në Instagram duke e shoqëruar me fjalët:
Kjo është kënga që nuk u pranua në Festivalin e RTSH-së. Vlerësojeni vetë…
Rikujtojmë se, Mentori e ka paralajmëruar konkurrimin në Festivalin e Këngës kur ishte i ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio. Në atë kohë ai shpreh se:
Së shpejti do të konkurroj zyrtarisht në festivalin e fundivitit në Radio Televizionin Shqiptar në garën për Eurovizion. Kam bërë një këngë e cila është e jashtëzakonshme, ndoshta është një ndër këngët më të mira që kam bërë që flet për pandeminë, shpresën, dashurinë, jetën, guximin dhe durimin se gjithçka do të kalojë dhe do të bëhet më mirë për të gjithë. Është një lloj falenderimi edhe për mjekët të cilët kanë kontribuar në frontin e parë me virusin dhe është një realizim shumë i bukur që do t’ju surprizojë për mirë.