E ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” ka qenë artistja Marsela Çibukaj. Ajo së fundmi ka prezantuar albumin e saj që mban titullin “Petale” dhe që përmban 4 këngë. Deri më tani Marsela ka publikuar dy prej tyre dhe tashmë na ka zbuluar se kur do të vijnë të tjerat…
Çfarë mund të na thuash për albumin “Petale”?
Janë 4 këngë në total që përbëjnë këtë projekt me të cilin kam punuar prej 1 viti e gjysmë. Është një projekt që është bërë në bashkëpunim me artistë të rinj dhe që i dua shumë. Dhe jam e bindur që do jenë ata që do lënë një vulë në të ardhmen e muzikës, siç po e bëjnë dhe tani. Kryesori në këtë bashkëpunim është Sardi Srugaj, të cilit iu drejtova për të patur një projekt që të ishte pak më i gjerë se sa një këngë single. Dhe Sardi brenda shumë pak kohe, duke kuptuar dhe botën time artistike realizoi 4 këngë për mua që më pëlqyen me dëgjim të parë. Më tej pastaj u punuan në produksion në studio nga Arnon, Eugen Herri dhe Killua. Kisha dëshirë të punoja me njerëz që kuptohem pa u shpjeguar shumë, në nivel shijesh dhe stili muzikor, që është pak më i veçantë e pak me artistik. Janë të rinj në moshë dhe kanë krijimtari shumë spontane dhe të pakalkuluar përsa i përket dhe tregut muzikor. Se tani po bëhen këngët se si do funksiononte dhe unë jam pak ‘old style’, me pëlqen spontaniteti.
Pse e titullove albumin “Petale” dhe si lidhet me ty?
Kishte disa faktorë. E para merr titullin nga njëra prej këngëve që del pas dy javësh. Me dëgjim të parë ajo ishte e preferuara ime. Por tani çdo javë po del nga një e preferuar e re. Ky album kishte ne plan që të prezantohej më 21 mars që është dita e Pranverës, por edhe ditëlindja ime. E kisha të lidhur me atë botë, me natyrën, me lulet. Petalet mund të jenë dhe melankolike, në rastin e një dashurie të humbur. Janë simbol jete, edhe i një jete që lëviz.
Lidhur me këngët e reja që po publikohen rëndomë e ndjekin trendin, Marsela u shpreh:
Janë fenomene meteor, ndjekin modën e momentit. Është si të marrësh një veshje klasike nga Giorgo Armani, që edhe pas 500 vitesh do ta veshësh e do këtë të njëjtën vlerë. Publiku po vuan botërisht faktorin TikTok, dëgjim me 15 skonda. Sot një këngë duhet të zgjasi sa më pak. Por unë vazhdoj të mbetem një veterane e muzikës të një lloj zhaneri, të një lloj stili, e të një lloj botëkuptimi. Jam shumë meraklie për tekstet, jam shumë meraklie për meloditë e bukura, orkestrimet e bukura.
Me çfarë projekti të ri po punon tjetër?
Në tetor kam dëshirë të vij tek publiku këtu në Tiranë me një koncert më të madh, më të bukur, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Jam duke punuar për detajet. Do të jetë një koncert që përmbledh pak këto vitet e mia në Shqipëri, duke nisur nga “The Voice of Albania”, aty ku filluan dhe hapat e parë të karrierës sime në Shqipëri. Por duke përmbledhur pak dhe vitet që kam kaluar në Itali dhe vendet e tjera të Evropës, së bashku me bendin tim italian, që besoj do të jetë i pranishëm gjithashtu.