E ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ka qenë artistja e re por shumë e talentuar Troja Bicurri. Ajo ka folur më shumë mbi pasionin e madh që ka për muzikën por jo vetëm…
Unë jam rritur me muzikë. Muzika është e para për mua. Më ndihmon në momentet e vështira, me të shpreh veten, emocionet e mia. Edhe kur shkoj në shkollë, vendos kufjet dhe shkoj.
Ti luan edhe në kitarë, çfarë të ka lidhur më shumë me këtë instrument?
Gjyshin e kam pasur kitarist, Ferhat Bicurri. Po ashtu xhaxhai i babit është Esat Bicurri. Dhe mendoj se i kam dhuratë, kitarën prej gjyshit dhe zërin prej xhaxhit të babit. Babi gjithmonë e ka marrë kitarën e vjetër të gjyshit dhe luante disa akorde që dinte dhe në të njëjtën kohë këndonte këngë blues dhe rock. Që atëherë rashë në dashuri me muzikën dhe i thashë babit që dua të shkoj në shkollë muzike dhe që dua të bëhem këngëtare kur të rritem. I kam vënë mision vetes që gjithmonë do të merrem me muzikë dhe i kam premtuar dhe familjarëve.
Si është procesi i të krijuarit të teksteve të këngëve të tua?
Ndonjëherë kur jam në ndonjë moment të vështirë, më vjen ai momenti për të shkruar dhe marr një copë letër e një laps menjëherë. Kur kam shkruar “Maybe”, kam qenë në dhomën time, ka qenë verë dhe flladi i verës natën, zhurmat në oborr që të japin frymëzimin për të shkruar dhe marr kitarën. Shkruaj për emocionet e mia, jetën time. Më frymëzon dhe Hëna natën. Më frymëzojnë edhe njerëzit me të cilët rri.