E ftuar në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ka qenë Sonia Vokopola, për të folur më shumë për projektet e saj muzikore por jo vetëm…
Lidhur me këngën e saj më të fundit, “Watch me go”, Sonia u shpreh:
Nuk është tamam për mua, nuk është aq direkte. “Watch me go” është më shumë për t’ia thënë ti vetes, se sa të tjerëve. Mund të ketë momente në jetë që ne e dyshojmë dhe veten tonë nëse mund të vazhdojmë përpara. Kështu që është një formë për t’i thënë vetes “më shiko duke shkuar, mund ta bëj, edhe e lënduar, edhe si gjysmë, por mund ta bësh”. Ky është dhe mesazhi i këngës, që njeriu pavarësisht lëndimeve që ka mbi shpatulla, mund të bëjë gjëra shumë të bukura dhe të mira.
Sa i përket vështirësisë për të kompozuar sot, Sonia tha se:
Është e vështirë, sepse ke dy përgjegjësi përsipër. Të përmbushësh atë që ti mendon se duhet të jetë kënga jote dhe të përmbushësh atë që mendojnë të tjerët për këngën tënde. Janë gjëra që ti nuk mund ta dish, sepse nuk ua di mendjen njerëzve. Por mund të jetë ajo formula që funksionon dhe arrin tek publiku. Kështu që mendoj se për të kapur pak nga ajo formulë, duke ndërthurur dhe talentin tënd dhe atë pjesën origjinale, mund të dalë diçka që është vërtet ndryshe. Unë nuk përpiqem të krijoj me këtë gjënë në mendje, se si t’i kënaq njerëzit. Unë përpiqem të kënaq veshin tim, se kam një vesh shumë kritik.
Çfarë projekti ka së shpejti?
Unë do të kisha shumë qejf të kisha një baladë. I kam dy balda në fakt, por do doja një baladë më intime, më për kohën tani. Do të kisha qejf të merrja pjesë dhe në festivale, por deri tani janë dëshira. Baladat më pëlqejnë shumë, jam rritur me balada, kështu që mendoj se më janë bërë pjesë e vetes sime. Atë po shoh si hapin e radhës.