Elinel ka ardhur këtë javë në klasifikimin e “The Top List” me dy projekte të reja, dy bashkëpunime që po marrin të gjithë vëmendjen së fundmi. Bëhet fjalë për “Nashta” me Ajo Irina dhe “Nëse” me Andra Rexhepi. Thënë kjo, këto dy artiste të talentuara i bashkohen këtë javë Top Awards për herë të parë. Le të njihemi pak më shumë me to…
E lindur dhe e rritur në Prishtinë, Ajo Irina është këngëtare, tekstshkruese dhe artiste që e ndërton universin e saj muzikor përmes një qasjeje intime, eksperimentale dhe të sinqertë ndaj krijimtarisë. Marrëdhënia e saj me muzikën nisi herët dhe u formësua përmes edukimit muzikor në Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”, ku u zhvillua si në kitarë ashtu edhe në piano. Gjatë rrugëtimit të saj artistik ka qenë gjithashtu vokaliste dhe kitariste e një bendi rock/alternativ, eksperiencë që e afroi me performancën live dhe skenën, duke e çuar më pas në performanca në vende të ndryshme. Sot, Ajo Irina e koncepton muzikën si një hapësirë personale ku përvoja kthehet në tingull, fjalë dhe emocion. Ajo shkruan tekstet e veta, kompozon, dhe këndon muzikën e saj, duke krijuar një identitet artistik që lëviz mes eksperimentalit, Afroswing dhe R&B. Krijimtaria e saj është emocionale dhe personale. Në vend që t’i tregojë ndjenjat vetëm nga këndvështrimi i saj, Irina kërkon të krijojë një pasqyrë ku dëgjuesi mund ta gjejë veten — në eksperiencat e veta, në marrëdhëniet me njerëzit dhe në ndjenjat që shpesh mbeten të pathëna. Me këngë si “Une Jom Ajo”, Irina ka nisur të ndërtojë një prezencë të dallueshme artistike, ndërsa së fundmi ka zgjeruar këtë botë me EP-në e saj “Klonopin”. Çdo projekt është pjesë e një rrugëtimi ku muzika nuk shërben vetëm si formë shprehjeje, por si mënyrë për të eksploruar identitetin, afërsinë, dashurinë, humbjen dhe kompleksitetin njerëzor.
Andra Rexhepi është një emër premtues ne showbiz si një artiste e re nga Prishtina. Së fundmi, projekti i saj “TIKI RAKA” tërhoqi vëmendje të madhe, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj. Andra gjithashtu bashkëpunoi me reperin Elinel në dy këngë të albumit të tij “Kthehu” dhe “Nëse”. Me projekte të reja dhe prezencë gjithnjë e më të madhe në skenën muzikore, Andra Rexhepi po afirmohet si një emër i pop-it shqiptar, me potencial për të depërtuar edhe në tregun ndërkombëtar.