Banorët e këtij viti të ”Big Brother VIP Albania” kanë tërhequr vëmendjen e të gjitha portaleve mediatike dhe rrjeteve sociale, ku një prej tyre është cilësuar edhe si fenomeni i këtij programi. Ai është pikërisht Luiz Ejlli, i cili vazhdon të jetë një ndër personazhet më të përfolur momentalisht, që nga hyrja e tij në shtëpi e deri më tani.

Ai është mjaft i komentuar si brenda shtëpisë ashtu edhe jashtë, ku duhet thënë se i ka trazuar mjaft ujrat. Brenda shtëpisë së “BBV”, gjatë muajit të dashurisë, finalisti i parë i këtij edicioni të dytë Luiz Ejlli, vendos t’i dedikojë një këngë moderatores Kiara Tito.

Ai e realizoi atë në kohë rekord brenda Dhomës së Rrëfimit dhe menjëherë pas publikimit në kanalin zyrtar të Top Channel u kthye në një hit kombëtar dhe prej disa javësh ka arritur të rrëmbejë vendin e parë në “The Top List”. Kjo të paktën deri tani.

Tashmë Dj Benito ka vendosur të realizojë versionin remix të kësaj kënge, duke na sjellë më pranë sezonit veror dhe ritmit energjik që na duhet për tu përgatitur për verën. Remix-i i ”Me ty” ka arritur të rrëmbejë vendin e parë për këtë javë, ndërsa origjinali është pozicionuar në vend të dytë.