“Big Brother VIP”, reality show më i ndjekur nga shqiptarët zhvillon edicionin e tij të dytë dhe personazhet pjesëmarrës kanë arritur të tërheqin vëmendjen e publikut, që në datën e nisjes më 24 dhjetor të vitit që lamë pas. Përballimi i dinamikave të ngjarjeve, shfaqja e një personaliteti njerëzor dhe krijimi i situatave komike janë ato çka vlerësohen më shumë në këtë lojë.

E një nga banorët më të komentuar të këtij edicioni, për të mos thënë më i komentuari, është padyshim Luiz Ejlli. Publiku është afeksionuar pas tij që nga forca e treguar, loja që ka zgjedhur të bëjë, debatet e shumta, notat e tij të humorit, historia e dashurisë me Kiara Titon, e shumë e shumë motive të tjera.

E dihet se Luizi nuk e pati aspak të lehtë që ta bënte për vete Kiarën dhe në ditën e “Shën Valentinit” është publikuar kënga që ai ka krijuar brenda në shtëpi për Kiarën që titullohet “Me ty”. Këtë Luizi e ka menduar prej disa kohësh dhe “Vëllai i madh” i ka dhënë mundësinë që ta rregjistoj zërin brenda në shtëpi dhe të realizojë këtë dëshirë të tij.

“Me ty” është bërë pjesë e ”The Top List” këtë javë. Por jo vetëm kaq, fansat dhe dashamirësit e Luizit me votat e tyre të shumta kanë bërë që ai të pozicionohet në vend të parë.