Një bashkëpunim i goditur vjen në listën tonë këtë javë dhe është pikërisht ai midis ish-banorit të “Big Brother VIP” Lorenc Hasrama dhe Kenzz. Kënga e tyre që u bë shumë shpejt virale mban titullin ”Të Doja”.
Ky projekt u publikua vetëm pak ditë më parë, kur Lorenci ishte ende pjesë e shtëpisë më të famshme në Shqipëri. Megjithatë, pikërisht ditën e shtunë pas publikimit të klasifikimit të ri të ri të javës, gjatë mbrëmjes prime të spektaklit, artisti vendosi që ta ndërpriste në mes rrugëtimin e tij në ”Big Brother VIP”.
Ndoshta tashmë Lorenci dëshiron të gëzojë frytet e suksesit të projekteve të tij, e aq më tepër të ”Të Doja”. Pastaj, ku i dihet, tanimë artisti mund të ketë marrë kohën e duhur brenda shtëpisë për të pushuar e për t’u frymëzuar dhe për projekte të tjera të ardhshme.
“Të Doja” ka marrë reagime mjaft pozitive në rrjet nga fansat e dyshes, të cilët duhet thënë që janë përshatur më së miri me njëri-tjetrin, edhe pse i përkasin dy stileve mjaft të ndryshme. Duket se ”Big Brother VIP” ka qenë mjaft fatsjellës për këngëtarët e ”The Top List”, të paktën për sa i përket publikimit të këngëve të suksesshme.