E ftuar ditën e sotme në ‘Live From Tirana’, ka qenë Lorè, emri i vërtetë i të cilës është Lorela Karoshi, e cila ka rrëmbyer zemrat e të gjithëve me zerin e saj melodioz.
Artistja sapo ka publikuar këngën e saj më të fundit tipike verore ‘Funk It’. Projekti, i cili e bëri Lorè-n shumë të njohur për publikun ishte bashkëpunimi me Dj Vin Veli ‘Tonight’ i publikuar para 3 vitesh dhe kantautorja na zbulon pak më shumë lidhur me këtë projekt.
Ka qenë materiali im i parë i shkruar vetë ku dhe u vetshpalla kantautore, prandaj ka një vend shumë më të veçantë për mua. Më duket në çdo koncert sikur është hera e parë që e këndoj. Feedback-u që marr është fantastik. Kujtimi i bukur është që lidhet me një histori personale, nuk kujtoj nëse e kam cituar më parë. Gjërat e dala nga shpirti dalin gjithmonë më mirë. Siklet ka qenë, sepse i jemi kthyer 5 herë kësaj kënge, më është dashur t’i rifutem emocionit dhe ta ripërjetoj disa herë. E hap plagën dhe fut një kaçavidë dhe e rrotullon.
Mendon Lorè se ka vend për artistë si ajo në tregun tonë muzikor?
Hapësirat janë shumë të vogla për artistët alternativë ose që e kanë ngarkuar veten me një mision që të bëjnë njëfarë revolucioni në industri. Muzika ka nevojë për një linjë të re, është sfidë shumë e madhe. Kush nuk i do sfidat? Unë i kam inat gjërat e thjeshta.
Kujt i dedikohet kjo këngë?
Unë kam gisht në tekst me Albanin dhe Killuan. Kënga iu dedikohet ex-ave dhe fazës post-ndarjes, që ti je totalisht e lëshuar në sensin e mirë të fjalës. Ke gjetur lirine e munguar dhe do vetëm të bësh qejf.
Po vetë Lorè ka patur lidhje toksike?
Kam patur.
A do të jenë të gjithë këngët e tjera të EP-së (mini album) që do të publikojë artistja dedikime për ex-at?
Kjo është kënga e parë e EP-së. Kam përfshirë shumë gjendje të ndryshme shpirtërore. Dua e gjithë EP të ketë ngjyrë femër. Kjo është për mua shumë e rëndësishme. Flasim dhe për ndarje dhe për tema sociale, për gjëra hyjnore, dashuri e pastër. Plani është që të dalin secila më vete, me një distancë një muaj, një muaj e gjysmë nga njëra-tjetra, që të jenë të qendisura.
Si lindi kënga më e fundit ‘Funk it’? A ishte një qëllim në vetvete rikthimi i viteve ’80?
E kam shumë përzemër si këngë. Lindi natyralisht komplet, nuk e kishim në plan. E gjithë bota po e bën, unë them gjithmonë, ‘moda e re është moda e vjetër’.
E ka në planet e saj Lorè të konkurrojë për të shkuar në ‘Eurovision’?
E dua jo vetëm në CV, por e dua Eurovision-in për gjithë madhështinë e vet. Për çdo artist është oportunitet shumë i madh. Nuk po premtoj asgjë, por po e kam në plan.