Pavarësisht se nga java në javë, “The Top List” i shtohen projekte të reja muzikore, shumë këngë kanë mundur ta përballojnë konkurrencën, duke qëndruar për një kohë të gjatë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

“Stoli i Trendafilave” ka qënë një ndër këngët më jetëgjatë të këtij klasifikimi. Ajo ka qëndruar në listë për 83 javë rresht po kjo javë ka rezultuar “fatale”, duke mos marrë më votat maksimale për të qëndruar në “The Top List” dhe si pasojë ka mbetur jashtë saj. Por pavarësisht kësaj, Albani vazhdon të jetë pjesë e listës me 5 projeke muzikore, të cilat janë 4 bashkëpunime dhe një këngë “solo”.

Madje Albani ende vazhdon të jetë një ndër artistët me këngën më jetëgjatë në klasifikimin pasi bashkëpunimi i tij me Dalool, “1000 Premtime” për 63 javë rresht është pjesë e klasifikimit, duke mos u mposhtur nga prurjet e reja. Falë mbështetjes së publikut, kjo këngë është ngjitur me 6 pozicione nga java e kaluar, duke zënë vendin e 62-të.

Kreun si kënga më jetëgjatë në gjithë historinë e “The Top List” e mban bashkëpunimi i Elvana Gjatës, Capital T dhe 2po2, “Lejla”, me 86 javë. E publikuar tetorin e vitit 2016, ky projekt muzikor ende vazhdon të ketë një interes të madh tek publiku shqiptar, i cili nuk rresht së votuar nga java në javë, edhe pse këta artistë kanë sjellë disa projekte të reja në treg.

“Kcen” renditet e dyta në listë si kënga që për një kohë të gjatë është pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards”. E publikuar në muajin shtator të vitit 2016, kjo këngë u shndërrua si një ndër këngët më të luajtra në klubet e natës dhe duket se ende vazhdon të ketë këtë sukses.Dedikuar vajzave bukuroshe të Tiranës dhe Prishtinës, “Kcen” është pjesë e Top Listës për 80 javë rresht dhe për këtë javë mban vendin e 61-të.

Edhe pse ka publikuar rreth 6 projekte të reja muzikore, “Anderr” vazhdon të mbetet një ndër këngët më të preferura të publikut shqiptar, kënduar nga Kida. Për 66 javë rresht, ky projekt muzikor vazhdon të votohot nga java në javë, duke e futur këtë këngë në listën e 5 këngëve më jetëgjatë të klasifikimit të “The Top List”. Këngëtarja është në listë edhe me 6 projekte të tjera muzikore, të cilat gjithashtu pëlqehen shumë nga publiku dhe këtë e tregojnë më së miri votat e fansave të saj në topawards.top-channel.tv

“Le t’xhelozojn” është projekti muzikor i cili mbyll listën e 5 këngëve më jetëgjatë të klasifikimit të “The Top List”. Bashkëpunimi i Onat me Majk prej 59 javë është pjesë e listës zyrtare të “Top Aëards”. Ndërkohë që dy artistët kanë publikuar projekte të reja, të cilat gjithashtu kanë rezultuar të suksesshme, duket se “Le t’xhelozojn” ende tërheq vëmendjen tek publiku. Për këtë javë, kjo këngë mban vendin e 58-të.