“Oborri” është një grup muzikor nga Prishtina të cilët janë bashkuar në vitin 2014. Dy djemtë Abër Saliu dhe Tomor Kuçi kanë luajtur muzikën e tyre të veçantë në festivale të ndryshme në Budapest, Hungari, Amsterdam, Hollandë dhe Serbi.
Në fillimet e tyre si grup ata kanë fituar edhe çmimin “Best Original Score” në festivalin e filmit të shkurtër “The Canaries Know” me ndihmën e Genc Salihut.
Projekti i fundit i tyre “Gjuj me dritë” ka tërhequr vëmendjen e publikut për vargjet e lira hip-hop edhe mesazhin koherent që përcjell. Kjo prurje kaq avangarde vjen si thirrje për të gjithë të rinjtë kosovarë që janë futur në një vorbull depresioni.
Drita simbolizon talentin e djemve dhe vajzave të reja të cilët për shkak të demoralizimit dhe depresionit mbyllen në vetvete dhe shndërrohen në qënie të paafta për të shprehur cilësitë e tyre më të mira. Sipas “Oborri-t”, drita është kontrast i zymtësisë dhe metaforë e kaosit.
Koncepti i videoklipit është bërë nga Genc Salihu ndërsa albumi i tyre nuk vjen me CD por si një USB që mban formën e një kapëse rrobash. “Gjuj me dritë” ka 2 javë që është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” dhe momentlalisht ndodhet në vendin e 58-të.