Si thuajse çdo javë, “The Top List”  ka sjellë artistë të rinj në klasifikim dhe këtë javë ju prezantojmë me Dea Strica.

“Free” është projekti falë të cilit, Dea është bërë pjesë e klasifikimit të “Top Awards” për herë të parë, e cila ka ardhur në një bashkëpunim me Eltina Minarollin, një emër tashmë tepër i njohur në muzikën shqiptare.

“Free” ka marrë sugjerimet e shumta nga ana e publikut dhe ka arritur kështu të pozicionohet në vendin e 98-të për këtë javë.

Po kush është Dea Strica?

Dea Strica ka lindur në qytetin e Shkodrës por është rritur në ishullin mediteran të Maltës, ku dhe ka ndjekur mësimet e para të kantos.

Ajo ka dy diploma në matematikë por rrugëtimi i saj në botën e muzikës filloi në vitin 2014-të kryesisht si tekstshkruese dhe në vitin 2017-të, ajo publikoi projektin e saj të parë si kantautore, këngën e titulluar “You Got Me”, një bashkëpunim më një producent amerikan. Kënga pati sukses dhe u transmetua edhe në radiot amerikane por me pas u zgjodh dhe si kolone zanore e filmit amerikan të titulluar “An Evil Tale”, i publikuar në vitin 2018-të.

Ky ishte vetëm fillimi i bashkëpunimeve të saj me artistë ndërkombëtarë, pasi në vitin 2019-të, ajo bashkëpunon me producentin amerikan Topher Blanck dhe publikon këngën e saj të dytë si kantautore, të titulluar “Let me Be”.

Në Shkurt të vitit 2020-të, ajo bashkëpunon me një ndër producentët më të njohur afrikan nga Ghana, KizzyBeat, me të cilin publikon mini-albumin e saj të parë të titulluar “Summer Fling”, një EP me tre këngë të rrymes “afrobeat”.

Më pas, në Mars të vitit 2020-të, ajo bashkëpunon me Boze, producentin dhe rapperin amerikan nga Atlanta dhe së bashku publikojne klipin e këngës “Dark”.

Në Qershor të këtij viti, Dea vjen në një duet me Eltina Minarollin dhe së bashku publikojnë klipin e këngës “Zjarro”. Që prej atij momenti, Dea dhe Eltina kanë bashkëpunuar në disa projekte të tjera muzikore, ndër të cilat mund të përmendim këngët “Away”, “Ai”, “Me ke tash”, “I’m leaving you” dhe me pas publikojne videoklipin e këngës “Free”. Kënga e saj e fundit “solo” titullohet “You’re Gone”.