Shtatë vite larg klasifikimit, një bashkëpunim i ri dhe një rikthim që sjell nostalgji me nota fresh! Donjeta Morina rikthehet në “The Top List” me “Mërzi”, projektin e saj në bashkëpunim me Fuego, duke rikthyer emrin e saj në listën e 100 këngëve më të mira moderne shqiptare të javës.
“Mërzi” vjen si një kombinim që meriton vëmendje, jo vetëm për emrat që qëndrojnë pas tij, por edhe për rikthimin e Donjetës pas një pauze të gjatë nga klasifikimi. Me këtë bashkëpunim, Donjeta rikthehet në lojë, këtë herë krah Fuego-s, duke sjellë një tjetër kapitull në rrugëtimin e saj muzikor.
Në një kohë kur bashkëpunimet janë kthyer në një nga formulat më interesante të skenës muzikore, kombinimi i dy artistëve sjell një tjetër arsye për ta mbajtur këtë projekt në qendër të vëmendjes.
Një këngë që flet për ndjesitë që mbeten brenda nesh, edhe kur fjalët nuk mjaftojnë më. Ndonjëherë, mërzia ka melodinë e saj… dhe kjo vjen në formën e “Mërzi”.