Ka këngë që nuk vijnë thjesht për t’u dëgjuar, por për të na kujtuar se muzika e vërtetë nuk njeh kohë, kufij apo moda kalimtare. Dhe kur bëhet fjalë për Shkodra Elektronike, kjo ide merr një tjetër dimension.

Me “Me Dashtë”, muzika shqiptare gjen sërish një arsye për të qenë krenare. Në një kohë kur hitet shpesh konsumohen me shpejtësinë e një scroll-i në TikTok, Shkodra Elektronike vjen me një qasje që shkon përtej algoritmeve dhe formulave të zakonshme të suksesit.

Projekti që ndërthur identitetin muzikor shqiptar me tinguj elektronikë modernë dëshmon se tradita nuk është diçka që i përket vetëm së shkuarës. Përkundrazi, ajo mund të jetojë, të evoluojë dhe të tingëllojë më aktuale se kurrë.

Shkodra Elektronike e ka ndërtuar identitetin e vet pikërisht në këtë hapësirë, aty ku kujtesa muzikore takohet me eksperimentimin dhe ku tingujt tradicionalë mund të gjejnë një jetë të re në skenën elektronike. Shkodra Elektronike sjell “Me Dashtë” dhe na kujton që muzika e mirë shqiptare nuk ka vdekur ende.