Ronela Hajati ia ka dalë të shpallet edhe kësaj jave, artistja më e votuar me projektin e saj më të ri muzikor “MVP”. Ndërkohë vetë Hajati ka vendosur të kalojë disa pushime jashtë vëmendjes së publikut, pikërisht në Miami, duke shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme suksesin e prurjes më të fundit muzikore.
“Po marrim forcat për sezonin e dimit“, shkruan në një postim të bërë në Instagram Ronela, duke lënë kështu të nënkuptohet se muajt që vijnë do të jenë po aq të ngarkuar se vera e “çmendur” që lamë pas.
Ndërkohë që nuk është mposhtur nga asnjë projekt muzikor, është një këngë që po e ndjek këmba këmbës dhe bëhet fjalë për bashkëpunimin më të ri të Vin Veli dhe Lorè, “Tonight“. Falë votave të publikut, kjo këngë ka mundur të ngjitet me 18 pozicione nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e dytë, duke u bërë një “kërcënim” i vërtetë për Ronelën.
Sa i përket hyrjeve të reja muzikore, kjo javë ka rezultuar tepër e qetë pasi vetëm Alban Ramosaj me këngën e tij “T’kom dasht” ka marrë sugjerimet e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e klasifikimit zyrar të “Top Awards”.