Duket se Kida nuk ka të ndalur, ajo ka ditur më së miri si ta mbyllë vitin 2018-të. Ndërkohë që mbante rekordin si artistja me më shumë këngë në klasifikim, ajo e ka thyer vetë këtë rekord.
Artistja 21-vjeçare, e cila është shndërruar një ndër emrat më të përfolur të momentit, ka publikuar këngën e saj më të re, e cila ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar. “Ka je” titullohet kjo prurje e re muzikore, e cila e ka shndërruar Kidën në artisten më të dëgjuar të momentit me 10 këngë në total.
Këngët e Kidës kanë një ndikim të madh tek publiku shqiptar, i cili nuk rresht së dëgjuari dhe votuari këto këngë, të cilat renditen mjaft mirë në listë.
Kida është gjithashtu pjesë e grupit të artistëve më këngët më jetëgjatë në klasifikim pasi projekti i saj “Anderr” është pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare prej 96 javë.
Lidhur me gjithë këtë sukses, në një prononcim për “Top Awards”, menaxheri i Kidës, Met Elshani është shprehur: “Kida është një artiste që sjell gjithmonë risi në stilin e saj dhe këngët e saj marrin miliona klikime dhe siç po duket qartë, publikut i pëlqen Kida. Përkrahja nga adhuruesit e saj janë të shumtë, kjo shihet edhe në Instagramin e saj që ka një milion ndjekës“. Elshani nuk ka harruar gjithashtu të japë një falenderim të madh për mbështetësit e Kidës, duke thënë: “Një falenderim special shkon për fansat më të zjarrtë që ka Kida, shumë faleminderit“.
Këngët e artistes së talentuar: “Merri Krejt”, “Bileta”, “Ti”, “Harroj”, “Anderr”, “Pe Du”, “Mas”, “Don’t Say No More”, “Kce” dhe “Ka je” renditen përkatësisht në vendin e 15-të, 19-të, 20-të, 22-të, 24-të, 26-të, 29-të, 32-të, 34-t dhe 57-të.