Mbrëmjen e kaluar kanë qenë të ftuar në emisonin e “Lacio” në Top Albania Radio, Arnon dhe Jonisa. Dy artistë të rinj shumë vizionarë, të cilët kanë folur në lidhje me projektin e tyre, të titulluar “I Got You”. Ata kanë folur gjithashtu edhe për detajet më reja të projekteve dhe planeve të tyre për të ardhmen.
“I got You” është një këngë e cila ka më shumë inspirim nga bota e jashtme, moderne europiane, por sa e gjen veten Jonisa veten të përfshirë në tregun muzikor shqiptar?
Për momentin, të them të drejtën nuk është se jam përpjekur shumë për të hyrë në tregun shqiptar. Mendoj që kjo është thjesht një eksperiencë personale, e imja pasi unë i shkruaj vetë këngët dhe e kam shumë herë më të thjeshtë që ti shkruaj në anglisht sesa në shqip. Për disa arsye që unë ende nuk i di. Për momentin kam këtë lloj fokusi por që do të doja të guxoja edhe në shqip me ndonjë këngë debutuese.
A e shikon Arnon tregun shqiptar si një vend të mundësive të të gjitha rrymave muzikore apo është paksa selektiv dhe më shumë i orientuar drejt një lloj rryme të vetme?
Përsa i përket orientimit të rrymave në vendin tonë, për fat të keq momentalisht nuk po i jepet shumë prioritet rrymave të tjera, kemi vetëm një lloj rryme të cilën po e përgjithësoj ‘komerciale’. Këngë të cilat kalojnë shumë shpejt dhe që është një fuzion i shumë rrymave si ‘hip-hop’, folklor ndoshta pak. Muzika këtu ka ngecur. Nuk ka diversitetin e duhur siç duhet të ketë një treg normal muzike. Kam përshtypjen që në të ardhmen edhe me këtë frymën e re që po sjellin edhe artistët e rinj, mendoj që me kalimin e kohës do rriten më shumë profesionalisht. Avash-avash secili do të ketë vendin e tyre për rryma të ndryshme.
Ata kanë dhënë edhe mendimin e tyre në lidhje me klikimet nëse për ta janë shembull apo matës suksesi. Jonisa ka treguar se:
Në nivel personal do ta gjykoja suksesin se sa do të ndryshojë apo se sa do të rritem në vit ose në një periudhë të caktuar kohore. Kur shikoj mbrapa them a jam rritur apo jo?