“Mbretër pa kurorë” e Alban Skënderaj arriti që të pozicionohej në vend të parë të klasifikimit të ”The Top List”. Kjo këngë arriti të pëlqehej shumë nga publiku, sigurisht dhe nga teksti aq aktual që ka.
”Mbretër pa kurorë”, një projekt që goditi në shenjë me mesazhin që transmetoi. Sarkazmë therëse për një të vërtetë të hidhur.
Megjithatë, jo vetëm Alban Skënderaj ka sjellë një projekt që paraqet një vëzhgim të shoqërisë aktuale. Ja disa këngë të tjera që kanë ardhur me një meaazh dhe thirrje të fuqishme.
“Më shumë se e bukur je” nga Edona Reshitaj në brendësi të saj, përcjell një mesazh për të gjitha gratë e botës, duke treguar se duke qëndruar vetvetja jeni më e fortë, më e ëmbël dhe me plot shije, ka shtyrë përpara kauzën se duke besuar në vetëvete jeni më e suksesshme.
Një tjetër këngë me tekst aktual është dhe “Hajde me shuplakë” e La Fazani. Një këngë parodi dhe satirë të cilën ai e ka shkruar 3 vite më parë, ku trajton tematika të ndryshme social – politike kryesisht të Kosovës.
“N’dikon ndikon” nga Shpat Deda dhe BimBimma është një projekt që përmban mesazhe të forta për gjendjen aktuale të vendit të artistëve. Tek ky projekt secili mund të gjejë pak nga vetja, apo ta shohë ngjashmërinë në vendin e tij.
Një këngë e publikuar në vitin 2017 nga West Side Family dhe e sjellë edhe njëherë në vëmendje ditët e fundit është “Beso”. Kjo këngë u zgjodh dhe nga Top Media si këngë përshëndetëse për fundvit dhe mesazhi është i qartë që në titull. Zjarri i besimit në zemrat e shqiptarëve duhet të vijojë të jetë i ndezur dhe të rritet dita ditës.