Përpara premierës absolute të “5 Herë Jo” më 12 dhjetor në Tiranë, Donald Veshaj dhe Bora Zemani, kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Ata kanë zbuluar detaje rreth këtij filmi, çfarë do të ketë, si kanë shkuar xhirimet e gjithçka tjetër. Veç kësaj, Donaldi ka folur për kolonën zanore të filmit që u realizua nga Alban Skënderaj me producent Elgit Dodën, ku bëri të ditur se ka hequr dorë tërësisht nga muzika.
Por Donaldi nuk është artisti i vetëm që ka hequr dorë nga karriera e tij në muzikë. Vetëm pak muaj më parë, ishte Fero ai që u tërhoq përfundimisht nga muzika për shkak se feja islame e ndalon dhe se kërkon falje për tekstet e shkruara dhe këngët e tij, ku dhe dëshiron që ato të fshihen dhe askush të mos i dëgjojë.
Nush Mehmeti, reperi i famshëm i njohur si “Nushi” po ashtu ka vendosur të heqë dorë nga ëndrra e tij për muzikë pikërisht në hapat e para të suksesit të tij. Lajmin e bëri të ditur ai vetë nëpërmjet një story në Instagram, ku ka shprehur se ka hequr dorë nga muzika dhe ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij.
Një lajm i trishtë erdhi në vitin 2021 për të gjithë fansat e këngëtares së njohur, Adelina Ismajli. Ajo tha asokohe se nuk do të ketë më një rikthim të sajin në muzikë. Po ashtu dhe motra e saj, Zanfina tha se nuk do të merret më me muzikë, por do fokusohej në dy profesione të tjera. U bënë disa vite që Zajmina Vasjari ka eksperimentuar me zhanre të ndryshme muzikore dhe është përpjekur të sjellë një frymë të re në muzikë, edhe pse fillimisht u bë e njohur nga spektaklet e bukurisë. Por pas shumë viteve investim në muzikë, në një treg që ende nuk e ka gjetur veten, Zajmina, në prag të 30-vjetorit të saj, vendosi të tërhiqet dhe të krijojë baza më të forta për të ardhmen.
Orinda Huta po ashtu shumë vite më parë ka qenë e angazhuar në muzikë, por tanimë i është dedikuar vetëm punës si moderatore. Edhe Turjan Hysko, bashkëshorti i saj, i cili ka qenë pjesë e grupit muzikor Produkt 28, prej shumë vitesh është larguar nga bota e muzikës dhe u drejtua drejt asaj të televizionit.