Që prej fillimit të këtij viti, projektet e reja muzikore nuk kanë munguar asnjë javë, madje kanë qënë të shumta këngët që i janë shtuar “The Top List” nga java në javë. Kjo do të thotë se viti 2019-të ka qënë tepër produktiv për artistët shqiptar, duke publikuar disa këngë brenda një periudhe të shkurtër.
Ndryshe nga javët e mëparëshme, kjo javë e 177-të e klasifikimit, është një nga javët më të vakta sa i përket hyrjeve të reja. Pavarësisht disa këngëve të publikuara këtë javë, vetëm njëra është sugjeruar mjaftueshëm sa të jetë pjesë e klasifikimit dhe bëhet fjalë për Ilger dhe këngën e tij, “Dhe nje nate”. Edhe pse është artist i ri në tregun muzikor shqiptar, Ilger ia ka dalë të jetë pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, falë sugjerimeve të publikut.
Duket se shumë këngëtarë nuk kanë goditur në shenjë më publikimet e tyre më të reja, ku si pasojë nuk kanë marrë sugjerimet e mjaftueshme nga publiku për t’u futur në listë. Nga ana tjetër ka ndodhur që shumë këngë janë futur në “The Top List” pasi kanë kaluar disa javë nga publikimi kështu që javët në vazhdim mund të kemi surpriza të reja.