Disa projekte të reja i janë shtuar klasifikimit të “Top Awards” këtë javë, të cilat janë renditur mjaft mirë në listë, madje njëra prej tyre ka arritur të rrëmbejë vendin e parë dhe bëhet fjalë për “Stay with me Tonight” të Eugent Bushpepës. Pavarësisht se kjo është hera e parë që artisti bëhet pjesë e listës, fansat e tij kanë vendosur që këngëtari i tyre i preferuar të jetë në krye, aty ku ai e meriton.

Kjo prurje e re e Bushpepës ka zhvendosur Ledri Vulën dhe “Piano Bar” në vendin e dytë, duke humbur një pozicion nga java e kaluar. Rreth një javë më parë, Ledri prezantoi për publikun këngën e  albumit të tij, për të cilën ka punuar fort, duke ardhur ndyshe nga projektet e mëparëshme. “Lufta” mes Bushpepës dhe Vulës duket e ashpër, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër vecse të presim javën e ardhshme të klasifikimit, ndërkohë që fansat e dyshes votojnë në https://topawards.top-channel.tv/index.php/16-02-2020/

E konsideruar si një ndër këngët më të bukura të karrierës, Enca po i afrohet sa më shumë kreut të listës. Bashkëpunimi i saj me Zaza dhe Mixey, “Amor” ka rezultuar mjaft e pëlqyer për publikun shqiptar dhe këtë javë ajo është futur në “Top 3”, duke zhvendosur “Engjej” të Yll Limanit.

Nga ana tjetër Limani vazhdon ende të jetë pjesë e zonës së nxehtë me prurjen e tij më të fundit muzikore, duke u pozicionuar në vendin e 4-t. Kujtojmë që Yll Limani ka kryesuar klasifikimin e “Top Awards” dy javë rresht me “Engjej”.

Capital T është rikthyer sërish në 5-shen e këngëve më të votuar të javës me “600PS“. Ndërkohë që javën e kaluar kjo këngë pozicionohej në vendin e 7-të, fansat nuk e kanë lënë me kaq por kanë bërë të pamundurën ta fusin artistin në “Top 5”, duke lënë jashtë Butrint Imerin me këngën e tij, “M’ke rrejt”, e cila ka humbur një pozicion nga java e kaluar.