Besa është një artiste që gjithmonë është vlerësuar për zërin e saj të veçantë dhe performancat emocionuese “live”. Këngëtarja është një ndër figurat mjaft të dashura për tregun muzikor shqiptar.
Shumë këngë të saj janë shndërruar në hite dhe janë pëlqyer mjaft nga publiku. Nuk dihet se për çfarë arsye, por Besa bëri një pauzë gati 1-vjeçare duke mos sjellë asnjë prurje të re.
E tani ajo po e kompenson më së miri këtë, kohët e fundit. Ashtu siç ishte paralajmëruar para disa kohësh, Besa do të rikrijonte “Zonja & zotërinj”. Të gjithëve na ka shoqëruar kjo këngë prej vitesh dhe nuk ka njeri që nuk ia di fjalët këtij hiti. Por ky version me Alban Chela është diçka në ‘një nivel tjetër’.
Besa me këtë projekt ka arritur që të renditet menjëherë në krye të “The Top List” pas një periudhe goxha të gjatë, edhe pse ende një hyrje e re e javës. Thënë kjo, “Zonja & zotërinj” e ka pozicionuar Besën për herë të 6-të gjatë këtyre viteve në fron.
Në vitin 2017 Besa mori fronin për 3 javë rresht me “Mos m’le me ra”, bashkëpunimin e saj me Elinel. Në vitin 2020 ajo mori fronin për 2 javë me “C’est la vie”, bashkëpunimin me Bledbeats. Mesa duket bashkëpunimet janë dhe çelësi i suksesit të Besës. Por le të shohim në vazhdim se sa do të arrijë ta mbajë këtë pozicion.