Verës i erdhi fundi dhe së bashku me të, u mbyll dhe një sezon shumë i suksesshëm nga ana profesionale e shumë artistëve. Duket se kjo ka qenë vera më e ngarkuar prej kohësh tashmë dhe këtë mund ta tregojë fare mirë dhe numri i hyrjeve të reja çdo javë në “The Top List”.

Megjithatë, ashtu si edhe vera dhe ditët e nxehta karakterizohen me plazhet e bukura të vendit tonë, po ashtu kanë qenë dhe videoklipet e xhiruara në po këto vende. Sezonin e hapën “Nina” nga Bruno, Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni si dhe “Parajsa Ime 2” nga Alban Skënderaj dhe Elgit Doda.

Këto dy projekte ishin ato që e hapën sezonin e nxehtë dhe që u xhiruan në breg të detit. Kjo ishte dëshmia kryesore se videoklipet më të pëlqyera nga publiku, janë ato më të thjeshtat dhe që të tërheqin më shumë.

Nga ana tjetër, ajo që cilësohet si kënga më e sukseshme e verës, nisur nga votat tuaja që e kanë vendosur në krye të klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List” më shumë se këngët e tjera, është “Dale” nga Butrint Imeri, Kida dhe Ledri Vula. Kjo këngë është xhiruar në një fushë golfi në Turqi.

Për sa i përket koncerteve të mbajtura, sigurisht që edhe në këtë anë, jugu i Shqipërisë ka qenë ai që ka mbledhur më së shumti arstistët. Natyrisht që si zona më të preferuara dhe të populluara gjatë verës, nuk kishin si të mungonin këngëtarët më të preferuar të publikut.

Megjithatë edhe pse ende në kohë të rrezikshme për përhapjen e virusit COVID-19, kjo nuk i ka ndalur as këngëtarët e as publikun që të mblidhen për të shijuar kohën në ritmet e muzikës së mirë dhe këngëve të tyre të preferuara.