Ndërkohë që këtë javë nuk kishte asnjë prurje të re , në klasifikimin e javës së shkuar ka patur 6 projekte të reja që janë bërë pjesë e listës.

Kjo javë ka rezultuar e suksesshme për hyrjet e reja, të cilat janë ngjitur sa më në majë të klasifikimit.

“Le t’xhelozojne” është kënga që është ngjitur me më shumë pozicione këtë javë. Kjo prurje e re e Onat në bashkëpunim me Majk është pritur mjaft mirë nga fansat e dyshes, të cilët gjatë kësaj jave e kanë ngjitur “Le t’xhelozojne” me 37 pozicione, duke e renditur në vendin e 7-të.

Një tjetër hyrje e re që ka rezultuar tepër e suksesshme këtë javë, është projekti më i ri i Ledri Vulës në bashkëpunim me Lumi B, “Krejt shokt e mi”. Falë votave të publikut, kjo këngë ka mundur të ngjitet me 33 vende, duke u pozicionuar në vendin e 8-të.

“Dikur”, projekti më i ri i Alban Skënderaj, i cili e ka rikthyer artistin paksa në stilin “old school”, gjatë kësaj jave është ngjitur me 16 pozicione, duke u renditur në vendin e 20-të. Duket se fansave iu ka munguar Albani romantik.

Pas një pauze në tregun muzikor, Stine vendosi të rikthehej me një këngë që është pëlqyer shumë nga fansat. Që në javën e parë të publikimIT, “Bela” u bë pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Për këtë javë, kjo prurje e re e këngëtarit është ngjitur me 10 pozicione, duke u zënë vendin e 38-të në listë.

Këtij Shën Valentini nuk kishte si t’i mungonte një këngë e ëmbël nga Soni Malaj. Këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, ka sjellë ditën e të dashuruarve këngën me titull “Përgjithmonë”, e cila menjëherë është bërë pjesë e klasifikimit të Top Listës. Ndërkohë që javën e shkuar mbanten vendin e 46-të, për këtë javë ajo është pozicionuar në vendin 43-të, duke u ngjitur mr 3 pozicione nga java e kaluar.

Olidena dhe Sergio, kanë bashkuar fuqitë për të sjellë një bashkëpunim të titulluar “Ajer”. Edhe pse e publikuar rreth 4 muaj më parë, kjo këngë është bërë pjesë e listës zyrtare të Top Awards, vetëm dy javë më parë. Për këtë javë, ky bashkëpunim është ngjitur me 23 pozicione, duke u renditur në vendin e 27-të.