Sot, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up” në Top Channel, ishte aktori i njohur i humorit por njëkohësisht edhe këngëtar, Visjan Ukcenaj, për të na folur në lidhje me bashkëpunimin e tij të fundit me Kastro Zizon. Së bashku kanë lançuar këngën e titulluar “HANA”.

Por si erdhi ky projekt dhe çfarë simbolizon ky titull?

Ky është një projekt shumë i veçantë i bërë nga unë. Në fakt e kisha kënduar edhe pjesën e fundit vetë dhe kur po dëgjoja këngën, edhe miq të afërt të mi thonin: “Sikur ka nevojë për një gjë”. Kur po dëgjoja këngën thashë: “Kjo ka nevojë për pak Kastro Zizo”. I shkruajta një ditë dhe i thashë që kam një projekt, sepse ne kishim diskutuar më përpara për të bërë një gjë bashkë. I thashë që ta dëgjojë dhe pa mbaruar mirë minutazhi i këngës tha:”Do ta bëjmë, është super”. Donim të bënim diçka që t’i shkonte për shtat stilit të këngës, natyrës dhe duke qenë se ne tentuam të bëjmë një copëz art le të themi, donim që dhe në imazh të tregonte këtë gjë. Përmbajtja e këngës, bëhet fjalë për njerëzit që gabojnë në jetë.

A është kjo këngë në një farë mënyrë për faljen?

Mendoj se është për këdo. Madje ndonjëherë njerëzit janë aq krenarë saqë nuk duan të kërkojnë falje dhe gjejnë gabimin diku tjetër. Kjo është dhe simbolika e këngës sonë, që i kërkon hënës llogari pse nuk i ke kërkuar falje për mua. Duke kërkuar falje i bën shumë mirë vetes tënde dhe pastaj personit të cilit ke arsye që t’i kërkosh falje.

Clat kanë qenë situatat që e çuan Ukcenaj tek ty tekst?

Unë kam bërë dhe një këngë tjetër që titullohet “Shot” që është dedikuar për depresionin, për njerëzit që vuajnë nga depresioni dhe është pak më agresive se kjo. Kam qejf që herë pas here të bëj diçka që mbetet dhe ka një kuptim sepse duke qenë vetë dëshmitar i një muzike të shëmtuar hera herës që ka tregu jonë, shumë të zakonshme dhe ordinere. Një muzikë që është njësoj, nuk ka asnjë lloj mesazhi. Unë duke qenë se muzikën nuk e kam profesion, e bëj për pasion dhe nuk e quaj veten as këngëtar.

Si erdhi Visjani tek muzika?

Ka filluar që në vitin 2002. Unë kam punuar në qender interneti, ndër të parët që ishin hapur në Tiranë dhe aty kam pasur një program që eksperimentoja me veten time dhe bëja muzikë elektronike dhe kam mbi 1030 këngë në shtëpi.

Përse ka vendosur të bëhet pjesë e muzikës Visjani?

Unë nuk ndikohem nga askush. Muzikën e kam dashur gjithmonë pavarësisht se Zoti nuk më ka dhënë një zë si të Alksandër Gjokës, ose një vokal si të Valon Shehut që e admiroj si vokal ose të Eugent Bushpepa. Muzikën e kam pasur shumë qejf dhe kam dashur ta lëvroj muzikën në aq kapacitet sa unë kam, më është dhënë mundësia dhe e kam bërë. Kur kemi qenë në akademi, unë e kam pasur shumë qejf kanton si lëndë dhe e kam bërë gjysmën me Manjola Nallbanin që na jepte piano dhe kanto dhe gjysmën me Jonida Maliqin. Kanë qenë orë që unë shkoja më shumë qejf dhe pianon, baterinë e kam mësuar që në shkollë.

A ka menduar Visjani të bëjë një bashkëpunim me Sardi Strugaj dhe Killua-n?

Herën e fundit isha në studion e tyre dhe ata ishin shumë të hapur që unë të bëja çfarëdo lloj gjëje që mund të më vinte në mendje nga ana artistike.

Lidhur me profesionin e tij, Visjani thotë se:

Të jesh komedian dhe aktor është tjetër gjë. Unë jam aktor, muzika është pasioni im dhe ndoshta me ata çunat do të isha i nderuar të bëja muzikë me ta. Ruaj natyrën time dhe dua të le një copëz art. Nuk e shoh jetën në sensin egoist të gjësë por mendoj më shumë sesi do ta shohë djali im trashëgiminë e babait të tij, mamasë së tij dhe të jetë krenar për gjera që realisht vlejnë.  Nga ana e imazhit i ngjan më shumë babit, nga ana e karakterin është një miks.

“Hana” është kënga e parë e Visjanit që ka hyrë në klasifikimin e “The Top List”. Momentalisht kjo këngë renditet në vend të 33-të të listës së 100 këngëve më të mira shqiptare në Top Awards.