Reperi i njohur Getoar Selimi ishte i ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku foli për karrierën, jetën personale dhe raportin me familjen. I pyetur nga moderatoret se çfarë nuk do të toleronte si artist, Getoari u shpreh prerazi:

Nuk do të toleroja për asnjë çmim gjërat e mia të shenjta si familjen, personalitetin dhe karakterin.

Gjatë bisedës, reperi ndau edhe momente nga përditshmëria e tij si baba, duke theksuar se pavarësisht angazhimeve në punë, për vajzën e tij Margot gjen gjithmonë kohë:

Çfarëdo lloj pune të kem, unë e lë mënjanë për të marrë Margon nga kopshti.

Getoari foli me dashuri për vajzën, duke e përshkruar si një fëmijë me karakter të fortë:

I pëlqen të vishet bukur, ka një karakter të sajin, është shumë kokëfortë, por zakonisht përpiqem gjithmonë ta këshilloj çfarë të veshë.

I njohur për profilin e tij të matur publik, Getoari u shpreh se është munduar të qëndrojë larg konflikteve, duke theksuar se imazhi dhe integriteti kanë qenë gjithmonë prioritet për të.

Jam munduar gjatë gjithë kohës të ruaj atë imazhin tim. Nuk kisha për të humbur për asnjë ide që mund të ma cenojë këtë pjesë.

Duke komentuar përshkallëzimin e përplasjeve në industrinë e muzikës, sidomos në zhanrin e repit, Getoari theksoi rolin e rrjeteve sociale në rritjen e tensioneve.

Sot ke lloj-lloj injorantësh në rrjete sociale që janë shumë të famshëm, madje bëjnë edhe shumë lek me këtë punë. Më parë nuk kemi pasur rrjete sociale dhe nuk dinim me kë kishim të bënim.

Duke folur për prirjet e fundit në muzikë, Getoari u shpreh se shumë prej këngëve dhe bashkëpunimeve që publikohen sot janë tepër të ngjashme me njëra-tjetrën, duke e kthyer muzikën në një produkt të konsumit të shpejtë.

Këngët që dalin verës janë të gjitha njësoj, bashkëpunimet po ashtu, zhanri është i njëjtë, vetëm ndërrojnë artistët. Është bërë konsum.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së identitetit artistik:

Një artist sot duhet të dijë si ta menaxhojë veten. Kam bërë album vetëm për njerëzit që më duan dhe e kërkojnë muzikën time, bashkëpunime që janë jo të zakonshme.