Ghetto Geasy shquhet për projektet e tij mjaft energjike, por këtë radhë shohim një anë mjaft të ndjeshme të tij. Si dhurata më e bukur për të, erdhi një projekt muzikor nga reperi i cili ia dedikoi vajzës. Përmes vargjeve, ai e shprehu dashurinë e madhe për të dhe se si ajo i dha kuptim jetës së tij.
Marina Vjollca dhe Getoar Selimi janë padiskutim një ndër çiftet më të dashur të publikut shqiptar, të cilët kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë rreth 6 vite me parë, në një ceremoni madhështore të organizuar në gjirin e Lalësit. Pas katër vitesh martesë, moderatorja dhe reperi i njohur, u bënë prindër të një vajze, të quajtur Marget, e cila pak ditë më parë ka festuar 2 vjetorin e lindjes.
Në këtë ditë speciale, Getoari ka publikuar në kanalin e Youtube një këngë dedikuar vajzës së tij, titulli i së cilës është “Marget”. “Këngë shpirti. Gëzuar ditëlindjen jeta e babës“, shkroi reperi në një postim në Instagram, në të cilin ka promovuar këngën e tij më të re.
“Marget” ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List” nëpërmjet votave të shumta të publikut. Pikërisht ky projekt kaq i ndjerë e ka risjellë Getoarin pas një kohe të gjatë në listë.
E duket se dy hyrjet e reja të kësaj jave, “Frymë” e Luizit Ejllit dhe “Marget” e Getoarit, kanë të përbashkët dedikimin që dy artistët i kanë bërë vajzave të tyre. “Marget” renditet këtë javë në vend të 39-të, teksa “Frymë” ka marrë kreun.