Reperi i njohur G-Bani është një prej banorëve të këtij edicioni të “Big Brother VIP Albania”. Ai e nisi rrugëtimin e tij që ditën e parë me plot energji dhe shumë fansa të tij kanë qenë shumë kuriozë për të parë një anë tjetër të tij.
Kjo eksperiencë për G-Banin ka rezultuar shumë dinamike. Që me hyrjen e tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, ai premtoi origjinalitet dhe shpresoi të marrë edhe më shumë famë, ndonëse e cilësoi veten si legjendë.
Duke jetuar në Greqi ka nisur dhe krijimet e tij të para muzikore sepse i pëlqente shumë të shkruante dhe i pëlqente muzika hip hop. Nga pjesëmarrja e parë në “Top Fest 1” ka vijuar me disa këngë të tjera, por gjatë viteve që jetoi në Suedi e më pas në Angli, u shkëput tërësisht nga muzika sepse donte fillimisht të rregullonte veten dhe familjen me dokumentet angleze.
Ky rrugëtim i ri i G-Banit duket se po rezulton shumë i mirë për të nga ana e krijimtarisë artistike. Ai ka nisur që të shkruajë poezi dhe këngë të reja, duke ia kënduar edhe banorëve të tjerë.
Megjithatë, pyetjes ‘1 milion dollarëshe’ se ku e gjeti ai frymëzimin, G-Bani nuk e zbuloi, duke thënë se nuk i tregon muzat e tij. Shpresojmë që në vazhdim Vëllai i Madh t’i japë atij mundësinë për t’i regjistruar këto këngë edhe në studio.