Kemi hyrë tashmë në javën më romantike të vitit e pak ditë na ndajnë nga 14 Shkurti, dita e të dashuruarve. E sigurisht që kjo festë nuk ka si të quhet e plotë pa muzikën më të ndjerë, apo jo?!
Por ja që sot, dita e Shën e Valentinit bie në plan të dytë, për t’u fokusuar më shumë tek… Dita e Beqarëve…
Nuk ka vetëm Shën Valentin, por edhe Shën Faustin, që vjen një ditë pas 14 shkurtit dhe njihet si Dita e Beqarëve apo të Vetmuarve. Ndryshe nga Shën Valentini, ditës së Shën Faustinit, i mungojnë trëndafilat, çokollatat e dhuratat e tjera që jepen rëndom për ditën e të dashuruarve.
Zgjedhja e Shën Faustinit si mbrojtës i beqarëve nuk rrjedh nga një lidhje e drejtpërdrejtë me vetminë emocionale apo me kremtimin e beqarisë në tekstet e shenjta, por thjesht rastësisht. Në fakt, ai është bërë ndërmjetës për ata që kërkojnë dashurinë ose që jetojnë gjendjen e tyre vetëm, në qetësi dhe pavarësi, por edhe për ata që nuk e gjejnë veten në çiftin tipik të dashuruar.
Dhe madje, edhe kjo ditë ka muzikën e saj. Këtë vit, është Fifi ajo e cila na sjell këngën perfekte për këtë ditë, me ndjesi dhimbje e melankolie. Artistja vjen me “Tjetra”, një rrëfim i ndjenjave të një gruaje që gjendet në mes të një dashurie të pamundur. Shijojeni!