E ftuar në studion e “Live From Tirana”, ka qenë këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, Fifi. Ajo njëkohësisht është duke përjetuar dhe eksperiencën e saj në “Dancing Ëith The Stars”, për të cilën na ka rrëfyer vetë më shumë, por duke u ndalur gjithashtu dhe tek marrëdhëniet me konkurrentët e tjerë si dhe me partnerin e saj, Adisin…
Fifi është bërë nënë para pak muajsh, si po e përjeton ajo këtë periudhë të jetës së saj?
Nuk ma vënë shumë re që të më thonë ‘ti je nënë, duhet të jesh kujdes’. Madje disa herë njerëzit po harrojnë fare që unë jam bërë nënë. Unë kam zgjedhur që të mos e bëj publike që në fillim (të shtatzënisë), e bëra publike 2-3 muaj para se të lindja. Nuk kam dashur ta pompoj shumë si gjë. Plus nuk kam dashur ta shfryrëzoj shumë për marketing pjesën që unë u bëra nënë, nuk më dukej shumë e rrugës që ta përdorja një gjë të tillë.
Çfarë mund të na thuash për rrugëtimin tënd deri më tani në “Dancing With The Stars”?
Po e shijoj shumë si eksperiencë, po kënaqem. Më kanë kapur ca muskuj që nuk e mendoja se do i përdorja ndonjëherë. (qesh). Jam e gëzuar që e kam marrë këtë iniciaticë, sepse po bëj një ‘lifestyle’ shumë të shëndetshëm. Kam bërë një progres.
Cila ka qenë performanca që të ka shijuar më shumë?
Paso doble pa dyshim, por dhe tango më ka pëlqyer shumë. Mbase sepse kam pasur këngën e Alban Skënderaj që kam pasur një lidhje personale me të. Uroj që të jap një emocion ashtu siç e kam menduar dhe e dua unë edhe këtë javë.
A ka pasur diçka që të ka lodhur këto kohë nga ky rrugëtim?
Më ka lodhur gjykimi. Edhe në shkollë e kam pasur këtë: “Je përgatitur shumë mirë, ulu 2”. Më duket e njëjta gjë dhe këtu. Iliri ka dhënë gjithë kohës 8-9, por po flas për pjesën tjetër të jurisë.
Mendon si anëtarët e jurisë që nuk po jep 100% tënd?
Jam shumë ‘free spirit’, nuk i përmbahem rregullave. Diusiplina e kërcimit përveç se impenjative ka dhe shumë rregulla. Kjo mbase është arsyeja që nuk jap 100%. Unë edhe në muzikë i kam thyer rregullat. Kam bërë një rrymë të re të teksteve. Kur kam përdorur fjalën “psikopatja” në tekst, më thonin ‘çfarë po bën?’. Këtë kam dashur të bëj dhe në kërcim. Mua më është dhënë një koreografi dhe më duhej t’i vija mbrapa asaj. Në momentin që nuk më jepet një pjesë që më përshtatet, si mund të jap 100%? Kisha 8 javë që thoja pse të kërcej më mirë sepse prapë do marr 8 pikë. Kur erdhi paso doble thashë tani do e shijoj.
A ka patur një moment delikat që ke menduar dhe të tërhiqesh?
Nuk kam menduar kurrë që ta lë garën. Nuk jam një njeri që dorëzohem, kur e marr iniciativën gjithmonë e çoj deri në fund. Gjithmonë i kam çuar gjërat deri në fund pavarësisht sa jam vlerësuar. Por në javët e para, pata një problem me tendinat dhe më thanë që të bëja 3 javë pushim. Unë nuk pranova dhe kam kërcyer. Por nuk doja ta thoja këtë atëherë. Po e them tani që jam shëruar.
Përveç impenjimit të saj në “Dancing With The Stars”, Fifi ka gati dhe disa projekte të reja muzikore. Çfarë mund të na tregojë ajo për to?
Akoma nuk e kam gjetur bashkëpunëtorin për këngën e radhës. Nuk është vetëm një, janë 3-4 që i kam punuar. Besoj se dy do të dalin, pres që të mbaroj “Dancing With The Stars” dhe të futem me kokë në studio e të punoj. Të mundohem të gjej se çfarë duan shqiptarët, sepse tani është pak problem të bësh art.
Artisti më i dëshuar shqiptar për vitin 2023, sipas Spotify ishte Noizy. Çfarë mendon Fifi për këtë?
Noizy është shumë në rregull, është super artist. E meriton që të jetë aty ku është sepse ka punuar shumë vite dhe ka arritur të ketë një publik të vetin, që nuk e ka tradhtuar kurrë. Nuk u ndal ndonjëherë. Ai ka bërë shumë ndryshime në artin e vet.
A është e vështirë të bësh një bashkëpunim me Noizy-n?
Nuk e di, nuk kam tentuar kurrë. Por mund ta mendoj. Nuk di si të bie në kontakt me të (qesh).
E pyetur mbi partnerin e saj, Adisin, nëse janë duke planifikuar një datë për dasmën e tyre apo jo, Fifi është shprehur:
Ia kam lënë në dorë atij. Nuk ka ardhur akoma propozimi…
Shumë janë kuriozë për marrëdhënien tënde me ish-partneren e Adisit. Cili është çelësi i kësaj marrëdhënie kaq korrekte?
Çelësi është fëmija i Adisit. Nëse unë nuk e respektoj fëmijën e tij, i bie që unë nuk e respektoj atë që kam në krah. Nuk është thjesht që duhet patjetër të bësh kompromis. Por dhe nga ana njerëzore duhet të ndalesh të mendosh që aty në mes është një fëmijë që ka nevojë për babain e tij. Në jetë nuk ia uroj kurrë dikujt që të mos ketë nënë apo baba. Unë kam 8 vjet që jam larg familjes time, dhe shpesh më mungon babi dhe mami. Në këtë rast unë e di se sa shumë mund t’i mungojë atij babai i vet. E shoh shumë më të brendshme nga sa duket nga jashtë. Në fund të ditës dujet të jemi njerëzor.