Fero duket sikur e ka lënë pas të shkuarën dhe i është rikthyer sërish muzikës. “Gorilla” mban titullin projekti i tij i ri që e risjell në klasifikimin e “The Top List”.

Fero rikthehet me një qëndrim të pathyeshëm në “Gorilla”, ku shpalos forcat e tij si artist që nuk ndalet për askënd. Beat-i është ritmik, fjalët të forta dhe mesazhi i qartë, kushdo që i del përpara, duhet të jetë gati për ‘luftë’.

Në klip, reperi shfaqet në një shtrat i rrethuar nga një numër i madh femrash, skenë kjo që ka ngritur shumë pikëpyetje dhe diskutime në rrjetet sociale. Pikërisht ky aspekt vizual i klipit ka ngjallur reagime, pasi bie në kontrast të hapur me deklaratat dhe qëndrimet e Feros në të kaluarën, kur ai kishte bërë rikthim në fenë islame dhe kishte premtuar se do të ndryshonte rrënjësisht stilin e tij të jetës dhe të artit.

Megjithatë, “Gorilla” duket se e thyen këtë linjë. Me tekst të shkruar vetë nga Fero, kënga ruan stilin e tij karakteristik, por në anën vizuale shkon në drejtim të kundërt me përmbajtjen e mëparshme që synonte një identitet të ri, më të matur dhe të lidhur me vlera fetare.

Kujtojmë se Fero u tërhoq nga muzika me arsyetimin se do t’i përkushtohej plotësisht fesë islame, duke deklaruar në atë kohë se kishte lënë pas jetën artistike për të ndjekur rrugën e besimit. Madje, për një periudhë të gjatë, ai postonte rregullisht përmbajtje me përmbajtje fetare në platformat e tij online.

Megjithatë, pas njoftimit për rikthimin në muzikë, vërehet se të gjitha postimet e tij të mëparshme që lidhen me fenë janë fshirë nga rrjetet sociale, duke lënë hapur pyetjen për ndryshimin e papritur në qëndrimet e reperit. “Gorilla” e pozicionon Feron në vend të 59-të të klasifikimit aktualisht.