Ajo tashmë njihet me emrin e saj artistik Lore që duhet thënë që i rri shumë bukur edhe emrit të saj Lorela. Po flasim për këngëtaren Lorela Karoshi e cila pak ditë më parë ka publikuar këngën më të re me titull “Fajet”. Për këtë projekt shumë të këndshëm ajo ka punuar me emra të njohur si Alban Kondi, Fabian Basha dhe mjeshtri Shpëtim Saraҫi.

Kënga ka një tekst shumë të ndjerë dhe po ashtu edhe klipi vjen në një stil të veҫantë, sikurse nuk e hasim shpesh. Lorelën e kemi pëlqyer shumë që në “The Voice” për zërin e saj të bukur dhe për thjeshtësinë e të interpretuarit në skenë. Herën e fundit ajo ishte në studion e “Wake Up” me Vin Velin, për projektin e tyre “Tonight”, i cili u pëlqye shumë. Edhe këtë herë ajo ka goditur me bashkëpunëtorët e saj, por më tepër na tregon ajo…

Lore, një këngë e sapopublikuar dhe shumë e pëlqyer pasi menjëherë u bë edhe pjesë e Top Awards. Pse t’u desh kaq shumë kohë për një material të ri?

Kuptohet për shkak të pandemisë ishte pak e vështirë për të gjetur kohën e duhur për materialin. U deshën dy vite, por tani nuk e heq më këmbën nga gazi. Ky ishte njëri nga projektet që e kisha prej kohësh, kishte dy vite që qendronte aty. Ashtu siç kishte edhe “Tonight” dy vite. Shpresoj të mos vazhdojmë kështu çdo dy vjeçarë. Po vijnë material të tjera…

Cilat janë këto “faje” që ti ke bërë pasi edhe në tekst thua: “e di që fajet i kam vetë…”?

Dy vite në faj për të mos publikuar këngë. Të gjithë jemi nga pak fajtor, por të mos përdorim fjalën ‘mëkat’, themi ‘faje’. Janë projekte autobiografike, i shkruaj vetë dhe kanë nga pak nga secili prej nesh. 

Si e gjetët veten në këtë projekt, ku përveҫ Albanit që ke bashkëpunuar, ka qënë edhe Fabian Basha si producent dhe Shpëtim Saraҫi po ashtu ka patur kontributin e tij?

Ka qenë e gjitha shumë natyrale. Ka një kimi shumë të madhe artistike dhe do ta kuptoni edhe në projektet në vazhdim. Shëptim Saraçi ka qenë mixmaster-i. Ne jemi të hapur për emocione, projekte të reja. Edhe emocione të dikujt tjetër. Jemi të hapur për çdo bashkëpunim.

Duhet të theksojmë se klipi është shumë i veҫantë për mënyrën e realizimit dhe të jep përshtypjen sikur të hipnotizon. E kujt ishte ideja për ta sjellë në këtë mënyrë të cilën nuk e kemi hasur shpesh në fakt?

Jam pjesë e ideimit. Unë bashkë me grupin ishim të idesë që të mos ishte njësoj si “Tonight” që ishte thjesht tekst. Por e donim pak ‘blurry’. Është një loop, një xhirim pak sekondësh që përsëritet. Të jep idenë që dikush po ta këndon këngën para fytyrës. Vizualisht këtë donim të tregonim. Audio është prioriteti im. Në një moment të dytë klipet do të jenë më të punuara, por momentalisht audio është prioriteti im.

Sa e fiksuar je pas klikimeve të cilat janë si “buka” që hanë për shumë artistë në Shqipëri e kudo tjetër? A do bëje ndonjë “kompromis” për disa klikime më shumë?

Nuk mund ta them që nuk e kam vrarë mendjen fare. Kam ngelur shumë e kënaqur me këngën me Vinin. Unë jam një artiste e re. Lufta ime nuk është me klikimet.

“Fajet” nga Lore renditet në vend të 81-të të klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, Top Awards, për këtë javë.