I ftuar në episodin e radhës në podcastin “Flet” me Ilnisa Agollin në Top Channel dhe Top Albania Radio ka qenë Ermal Fejzullahu, një nga këngëtarët dhe artistët me të njohur në Shqipëri dhe Kosovë. Ai ka fituar një vend të veçantë në muzikën shqiptare falë stilit të tij të veçantë dhe këngëve të paharrueshme që nga pjesëmarrja në Top Fest e deri më sot. Në këtë intervistë ai foli më shumë për fëmijërinë, familjen por edhe për marrëdhënien e ngushtë me babain e tij…
Unë di që emri yt do të ishte Dritëro dhe jo Ermal, çfarë është kjo histori?
Ruzhdi Fejzullahu ka qenë xhaxhai im i ndjerë, kishte një dyqan këpucësh por ishte edhe shumë i dhënë pas letërsisë. Shkrimtari i tij i preferuar ka qenë Dritëroi, dhe donin të ma vinin, por vetëm 3-4 ditë e kam mbajtur këtë emër sepse isha i pa regjistruar akoma.
Po kush ta ndryshoi emrin?
Nuk e di mirë, besoj se Sabriu ose nëna. Por edhe emri Ermal lidhet me historinë sepse ka qenë viti ‘88 edhe kishte luftë në Kosovë, vinte era luftë, vinte era mal dhe më pas Ermal.
Cili është pengu që të ka mbetur peng nga rinia jote?
Më ka ngelur peng që jam rritur para kohe për shembull nëna ime thotë ‘ma mori djalin muzika’. Kisha kontakt të pandalur me publikun por ndërkohë isha edhe në shkollë, i merrja librat me vete. Unë jam rritur që fëmijë me frymën e muzikës.
Ke pasur ndonjë plan kur ishe fëmijë se çfarë do bëheshe kur të rriteshe, apo muzika të ishte injektuar që herët?
Unë jam rritur me frymën e muzikës gjithmonë. Që fëmijë, kur e kam nisur në klasën e parë shkollën fillore, në klasë të dytë jam futur në piano. Sabriu nuk ka pasur besim shumë të madh tek unë. Asnjëherë, sepse e ka ditur që është një botë e egër. Nuk është vetëm ajo që shohim para perdes. Dhe nuk e ka ditur sa do rritem e sa do përgatitem për t’i përballuar të gjitha sfidat. Ishte botë edhe më e egër në atë kohë. Por pastaj me kalimin e kohës, me sukseset e mia që i ka parë, u bind.
Çfarë do të ishte tjetër Sabri Fejzullahu në jetën tënde përveçse babai yt?
Mua më lidhet thuajse çdo gjë me të. Shumë fjalë të tij para 20 vitesh më dalin tani. Sabriu ka qenë udhërrëfyesi im për gjithë jetën. Nuk është se është marrë shumë me mua, ka dashur që unë të vazhdoj vetë, të piqem vetë muzikalisht, t’i përballoj sfidat vetë. Në momente të caktuara kam pasur nevojë për të dhe ma ka dhënë këshillën, herë pas here kur jam zënë ngushtë.
Sa i ngjashëm je me babain tënd?
Momente të caktuara jam shumë i ngjashëm me të, momente të tjera jam shumë e kundërta e tij. Nga natyra jam më shumë si nëna ime.
A të ka ndryshuar roli i prindit?
Roli i prindit më ka ndryshuar, sepse çdo gjë e merr me pozitivitet, e mendon dy, tre edhe pesë herë. Ke një obligim moral ndaj fëmijës, por edhe ndaj prindit. Je mes dy hallkave që të formojnë edhe më tepër, për mua ka qenë fat dhe jam shumë i bekuar për të katërt fëmijët.
Të thonë fëmijët ‘ne duam të bëhemi si gjyshi, jo si ti’?
Ata këtë ma thonë çdo ditë (qesh). Sidomos vajza ime e vogël Ana. E shoh që sa herë ata takohen ajo ka një admirim të madh për të, e ka idhullin e saj, i ndryshon fytyra 365 gradë. Kanë një marrëdhënie shumë të bukur bashkë.
A je i rreptë me fëmijët?
Në momente të caktuara po. Por nëna e tyre është më e rreptë me ta, jemi ai plus-minusi dhe plotësojmë njëri-tjetrin.
Ermal Fejzullahu la për pak anash muzikën dhe jetën personale, për të ndarë një pjesë të shpirtit të tij, ëndrrën për bashkimin kombëtar. Kur u pyet nëse do të sakrifikonte pasurinë për diçka tjetër përveç familjes, përgjigjja e këngëtarit të dashur për publikun ishte e menjëhershme.
Nëse do ta shkrije pasurinë tënde përveç se për familjen, a do të kishe një alternativë të dytë?
Gjysmën e pasurisë sot, do ta jepja për t’u bërë Kosovë dhe Shqipëri një, për Shqipërinë e madhe! Direkt. Është ëndrra ime dhe do të jetë gjithmonë.
A ke emocione kur ngjitesh në skenë?
E marr me emocion gjithmonë dhe, unë mendoj se skena duhet marrë me emocion, gjithmonë. Mendoj se një artist që nuk e merr skenën me emocion, nuk është artist. Nuk jam shumë romantik, janë këngët ato që më kanë nxjerrë romantik.
Ermali ndau me publikun një histori të veçantë lidhur me një ndër këngët e tij më të famshme, “Për një dashuri”:
Mund të të them një të bukur me këngën “Për një dashuri”. Kam qenë duke e performuar një ditë këtë këngën, duke e kënduar dhe përjetuar. M’u shfaq ai Ermali që ka qenë 16 vjeç, 70 kile dhe lëvizjet ishin njësoj, vetëm kur hap sytë edhe shoh që aty ishte një pasqyrë, në ato momente pashë një Ermal tjetër trefish sa ai atëherë (qesh).
Nga gjithë ato baladat e tua, si erdhi kënga “Kcejna mbi tavolina”?
Ishte koha. Unë gjithmonë kam eksploruar, gjithmonë kam dashur diçka ndryshe. Asnjë këngë e imja nuk ngjan me tjetrën. Gjithmonë kam dashur të provoj veten në larmi tjetër. Ishim në club me Lumi B në Ulqin dhe doli kënga “Gasolina” dhe ne ishim pak ‘offline’. Dhe aty tha Lumi që këtë këngë ta bëjmë shqip dhe unë i thashë që duhet ta këndojmë pak më popullorçe. Të nesërmen e harruam. Pas tre muajsh ishim në dasmën e Norës dhe Robertit dhe filloi të luante DJ këngën “Gasolina” dhe ia bëj me shenjë Lumit. Aty ishte dhe Big Bang që na bën këngët ne, është i jashtëzakonshëm, një prej aseteve të muzikës moderne që kemi. Ia kënduam shqip tek veshi dhe ai e mbajti mend. Na thirri pas dy ditësh dhe na tha që është gati.
Do të presim diçka të re nga ty këtë vit?
Kam disa projekte të reja, por dua të gjej kohën se kur t’i publikoj.