Këngëtari i njohur, Flori Mumajesi padyshim që është një nga kantautorët më të mirë dhe më të suksesshëm të vendit tonë. Ndër vite ai ka krijuar këngë që vazhdojnë të mbeten në memorien e njerëzve, nga ato më ritmike e deri tek baladat e ndjera.
Deklaratat e tij të fundit kanë bërë xhiron e rrjetit këto ditë. Artisti para pak ditësh publikoi disa video në Instagramin e tij ku i drejtohej fansave se ka fshirë disa prej këngëve të tij më të njohura nga platforma YouTube. I pikëlluar, ai u shpreh se njerëzit i kanë harruar këngët e tij më të mira, teksa shton se muzika e tij “ka vdekur, por nuk e kemi ngushëlluar”.
Flori tregoi se këngët e tij më të mira si “Me fjalë të vogla”, “Plas” apo “Thjesht të du”, nuk po vihen re dhe për këtë ndjehet keq. Megjithatë, një ditë pas gjithë kësaj situate, Flori vjen me të tjera deklarata ku shprehet se këngët e fshira tani janë rikthyer sërish.
Pas mesazheve të shumta që ka marrë nga fansat, kolegët dhe mbështetësit e tij, artisti bëri me dije se këngët e fshira janë sërish në kanalin zyrtar në Youtube. E sikur të mos mjaftonte gjithë kjo ‘zhurmë’, Flori sigurohet që të hedhë ‘bombën’ e fundit.
Vetëm 1 ditë më parë, Flori ka publikuar këngën e tij më të re me titullin “Mbaroj për ty”. Me këtë projekt ai shënoi kështu dhe rikthimin e tij në muzikë pas një periudhe të gjatë. Patjetër impakti që pati nga publiku, fansat dhe kolegët e tij ishte goxha i madh ku të gjithë u emocionuan nga rikthimi i tij dhe mezi po prisnin një projekt të ri nga artisti.
Megjithatë, e gjithë situata plot bujë e shkaktuar këto ditë, na bën të mendojmë pak më thellë. A mos ishte kjo thjesht një stategji nga ana e Florit për të rikthyer vëmendjen tek vetja në prag të rikthimit të tij në muzikë? Le ta pranojmë, do të ishte një marketing perfekt! Sidoqoftë, Flori ia arriti qëllimit…