Këngëtari Luiz Ejlli para pak javësh përfundoi eksperiencën e tij në “Big Brother VIP” ku edhe fitoi çmimin e madh. Pjesëmarrja e tij bëri që ai t’i rikthehej skenës muzikore dhe të punojë për projekte të reja.

Pa kaluar një javë nga dalja e tij nga shtëpia, një super lajm erdhi nga moderatori dhe aktori Donald Veshaj dhe kishte të bënte pikërisht me një këngë me Luizin. Ata publikuan një video në instagram, përmes së cilës paralajmëruan projektin e tyre dhe më pas kënga, titulluar ”Dy shotsa”, bëri paraqitjen e saj të parë në emisionin “Më Lër Të Flas”.

Mbështetësit e tij e kanë përkrahur Luizin gjatë gjithë periudhës që ai ka qenë banor brenda shtëpisë së “BBV” dhe jo vetëm. Ata madje kanë qëndruar besnik ndaj tij edhe pas përfundimit të asaj eksperience.

E duket se kënga ”Dy shotsa” vazhdon të përkrahet maksimalisht nga fansat e Luizit dhe Donaldit. Ky projekt po votohet më shumë nga publiku dhe renditet për të dytën javë radhazi në vend të parë të klasifikimit të ”The Top List”.