Dren Abazi është padiskutim një ndër këngëtarët që godet gjithmonë në shenjë me projektet e reja muzikore. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me këngën e tij më të re, të titulluar “Kur je me mu”. Pavarësisht axhendës së ngarkuar nëpër koncerte si brenda dhe jashtë vendit, Dreni i kushton shumë rëndësi teksteve dhe muzikës së këngëve të tij.
Që në javën e parë të publikimit, kjo prurje e re e artistit është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke zënë një pozicion mjaft të rëndësishëm.
I kontaktuar nga “Top Awards”, Dren Abazi ka folur më shumë rreth këtij projekti muzikor si edhe ka zbuluar më shumë detaje rreth albumit të ri.
TA: Kanë kaluar 10 muaj që nga projekti i juaj i fundit muzikor, i titulluar “Lamtumire”, për t’u rikthyer me “Kur je me mu”, mendoni se është një mungesë e gjatë në tregun muzikor?
Dren Abazi: Nuk e di për çfarë mungese të gjatë flisni. Unë jam më aktiv se asnjëherë më parë me koncerte, gjithandej. Nëse flisni për videoklipe, unë nxjerr 2 klipe brenda vitit, që për mua është një ritem i duhur. Nëse më pyet pse nuk nxjerr 5,6 ose 7 klipe në vit, atëherë kjo është e tepërt dhe e panevojshme.
TA: I këndon thuajse gjithmonë dashurisë, tekstet e këngëve të tua, i shkruan gjithmonë vetë? Nëse po, nga vjen ky frymëzim, lexoni shumë?
Dren Abazi: Mendoj se këngët më të mëdha në historinë e muzikës, janë “love songs”, nga Gershwin deri tek The Beatles dhe U2. Pastaj, unë si kompozitor dhe tekstshkrues i këngëve të mia gjithmonë kam tentuar ta ndaj muzikën nga gjërat e tjera. Unë politikë nuk bëj me muzikë. Frymëzimi më vjen nga gjithçka e bukur që ndodh përreth meje, qoftë edhe nga filmat që shoh. Fatkeqësisht nuk lexoj aq sa duhet.
TA: Përflitet se jeni duke punuar për një album të ri, na zbuloni disa detaje rreth tij…
Dren Abazi: Albumi i ri është pothuajse gati dhe besoj që do jetë në treg deri në fund të vitit. “Kur je me mu” , është kënga e parafundit që është pjesë e albumit të ri. Unë mendoj se albumet e kësaj kohe janë një përmbledhje e punës gjatë një periudhe të caktuar kohore, pasi albumi si formë klasike, e ka humbur kuptimin prej kohësh.
TA: Që në javën e parë të publikimit, ky projekt muzikor është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”, e prisnit që fansat tuaj të mbështesnin edhe përmes votave të tyre?
Dren Abazi: Për mua e rëndësishme është që unë si Dren, të mos i zhgënjej asnjëherë ata në pritshmërinë e tyre ndaj meje, pastaj kjo pjesa tjetër është shumë relative. Muzikën nuk e shoh si garë. Nuk është atletikë.
TA: Keni ndonjë plan ose projekt të bukur për të cilin po punoni aktualisht?
Dren Abazi: Albumi është projekt shumë kompleks i cili kërkon një organizim shumë të saktë. Besoj që ky është preokupimi im më i madh, krahas koncerteve që kam në axhendë.
TA:Një mesazh për të gjithë fansat e t’u besnikë…
Dren Abazi: Të gjithë ndjekësit e mi besnikë, në rradhë të parë i falenderoj që më qëndrojnë pranë…