Shpat Deda solli koncertin e tij autorial ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’ më 19 dhe 20 maj në skenën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Një repertor i pasur dhe performancë që do të mbahen mend gjatë. E ftuar në koncertin e artistit ishte dhe këngëtarja Dea Strica, e cila dha mendimin e saj mbi këtë event dhe muzikën cilësore si ajo që Shpati di të sjellë…
Si të gjen koncerti ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’?
Jam e lumtur sepse tani pas kaq shumë kohësh, Shpati rikthehet në Tiranë. ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’ më pëlqen sepse mendoj se do të ketë pjesë nga rrugëtimi i tij, nga jeta e tij, poezi, por sigurisht dhe ato tinguj që nuk mungojnë të asaj kitarës akustike që unë e kam aq qejf. Mezi po pres! Jam e bindur një shoë, një emocion që do të na prekë të gjithëve.
Ka një mungesë të theksuar të të rinjve në botën e artit, si e komenton këtë?
Muzika që bën Shpati dhe artistë si ai, ndoshta nuk është për të gjithë. Mendoj se duhet të jesh mjaftueshëm i përfshirë në emocion dhe ndjesi që të arrish ta depërtosh brenda vetes muzikën e Shpatit. Si një person që e dua pafund diversitetin në muzikë dhe ato stilet e veçanta, shpresoj shumë që të ketë më shumë artistë që vijnë me stilet e tyre, por dhe një publik që i mbështet më shumë.
Çfarë do të vijë së shpejti nga ti?
Edhe unë kam disa ‘udhëtime në fjalë e tinguj’. Në fakt po punoj me disa këngë të miat. Do marr kohën time sepse nuk dua të nxitoj që të publikoj për hir të faktit që është verë apo jo. Ndoshta është gabim që e kam bërë dhe më përpara, por duhet të marr kohën time që muzika që do të vijë, të jetë një muzikë zemre dhe që për mua ka shumë kuptim. Ka shumë projekte të reja që do vijnë dhe mezi pres t’i ndaj me publikun.