Elvana Gjata vazhdon të korrë sukses jo vetëm në Shqipëri, por duke hedhur hapa galopantë edhe në tregun ndërkombëtar. Duket se kjo periudhë ka qenë mjaft e frytshme për të duke sjellë shpesh projekte të reja.

E ndoshta më i veçanti është dhe ky i fundit, që erdhi si bashkëpunim me dy artistë të huaj Gran Error dhe Antonia. “Clap clap” titullohet hiti i kësaj jave që ka hyrë në klasifikimin e “The Top List”. Por cilët janë këta dy artistë?

Antonia është një nga këngëtaret më të preferuara të të gjithë ballkanasve, gjatë viteve 2009-2010, kur me projekte si “Morena” apo “Marabou” u bë e njohur në Rumani, Shqipëri dhe shumë vende të tjera. Ndërkohë edhe kohët e fundit ajo ka qenë mjaft aktive, me këngë si “Una Favela”. Antonia Clara Iacobescu ka lindur më 12 prill 1989, në Bukuresht, Rumani, por u shpërngul me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën pesë vjeçare. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj në Utah dhe kultura amerikane ndikoi fuqishëm në stilin e saj muzikor. Ajo mbaroi shkollën e mesme në Las Vegas, Nevada dhe i hyri botës së modelingut. Antonia ka marrë pjesë në qindra fotosesione për katalogë dhe ka bashkëpunuar me agjenci amerikane si Lenz dhe Ford Models. Në vitin 2013, ajo lançoi edhe linjën e saj të veshjeve të quajtur MOJA. Në moshën 18-vjeçare Antonia u kthye në Rumani me familjen e saj. Në vitin 2009 ajo u takua me producentin rumun Tom Boxer nëpërmjet një miku që e kishte dëgjuar duke kënduar. Pasi të dy u takuan, Antonia dhe Tom krijuan këngën e tyre të parë të njohur si “Roses on Fire”. Në vitin 2011, ajo publikoi një single të titulluar “Pleacă” me grupin Vunk. Në mesin e verës së vitit 2012, Antonia publikoi këngën promovuese “I got you” dhe single “Jameia”, kjo e fundit duke zënë vendin e 5-të në Rumani. Pas lindjes së fëmijës së saj të parë, Antonia iu rikthye muzikës si këngëtare solo. Ajo publikoi “Marionette”, shkruar nga producenti holandez dhe Afrojack. Më 17 Prill 2015, Antonia publikoi albumin e saj debutues “This Is Antonia” përmes labelit rumun Roton.

Gran Error është një grup muzikor që filloi karrierën në vitin 2019 me këngën “Pa Mi”, single që arriti më shumë se 8 milionë shikime në Youtube në një kanal krejt të ri. Pas kësaj dyshja u rikthye me një ripunim të “Buona Sera”, duke shfaqur vokalin e Alfie Arcuri, fitues i “The Voice Australia 2016”. Marcel Botezan dhe Sebastian Barac, dyshja e producentëve pas Gran Error, janë gjithashtu përfaqësues të projektit “Play & Win”, ku prodhuan disa hite ndërkombëtare për artistë si INNA, Antonia, Flo Rida, etj. Për më tepër, ata morën pjesë si bashkëprodhues për këngë që kënduan artistë si Akon (“Hypnotized”), Nicki Minaj & Nick Jonas (“Bom Bidi Bom”). Dyshja e producentëve u shpërblye, gjatë gjithë karrierës së tyre, me më shumë se 30 çmime dhe u nominua për më shumë se 50.