Artisti i njohur dhe shumë i dashur për publikun, Capital T, shumë shpejt do të vijë në Tiranë për koncertin e tij. Artisti do të organizojë “Time Capsule III – The Return” në kryeqytet më 16 gusht, në stadiumin “Selman Stërmasi”. I ftuar mbrëmjen e djeshme në “Top Arena”, Capital T foli më shumë mbi këtë organizim gjigant të tij dhe çfarë surprizash priten…
Ne e kemi nisur si trend të koncerteve në Tiranë, në vitin 2019. Ka qenë i pari i këtij lloji. ‘Rikthimi’ do të thotë pak a shumë shpëtimi i këtij tregu që po bastardohet me evente të ndryshme. Ne po tentojmë të sjellim diçka më me nivel dhe të korrigjojmë disa gabime që po bëhen.
Mendon se janë frymëzuar nga ti artistët që sjellin të tilla eventesh?
Secili ka karrierën e vet, bagazhin e vet, stilin e vet, por besoj që iu ka shërbyer si referencë…
Çfarë vështirësish hasen gjatë këtyre eventeve?
Nëse do që të bësh diçka profesionale, që ka të përfshirë dhe band live, performancë live 2 ore, ka vështirësitë e veta. Do përgatitje të madhe, skena që ne po ndërtojmë është një nga skenat më të mëdha që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
Kanë dalë në shitje biletat?
Biletat shkojnë më çmim të lirë, duke marrë parasysh edhe nivelin ekonomik të vendit. Ne nuk duam t’i plaçkisim njerëzit, duam t’i sjellin dhe të shijojnë koncertin. Biletat fillestare janë 10 euro.
Çfarë surprizash ke menduar, a ka të ftuar special?
Kemi të ftuar nga skena ndërkombëtare, siç kam pasur vitin e kaluar Akon në Prishtinë. Edhe këtë vit do të kemi dikë shumë special, mbase dy ose tre, jemi në negociata dhe shpejt besoj se do i bëjmë publike. Po ashtu do jenë dhe kolegët e mi me të cilët kam ndërtuar karrierën dhe bashëkpunëtorët e mi të përhershëm. Do bëj maksimumin që të bëj nivel dhe të udhëheq industrinë e koncerteve. Shpresoj se do ja dal, me suportin e njerëzve, e atyre që përkrahin muzikën time, të kolegëve të mi, të mediave, të gjithë juve… Ju pres më 16 gusht!