Bashkëpunimet muzikore të verës duket se do të jenë edhe më ‘flakë’ këtë vit. Një projekt i tillë ka bërë bashkë Majk, Ledri Vulën dhe Capital T.

Ata cilësohen si tre reperët më të mirë në industrinë tonë muzikore dhe së fundmi kanë bashkuar forcat për të sjellë një super këngë, e cila padyshim do të jetë hiti i kësaj vere. Projekti i tyre titullohet “Yjet dalin natën” dhe është bërë pjesë e ”The Top List” këtë javë.

Ky projekt me një ritëm fantastik vjen me tekst nga vetë reperët, kurse për muzikën është përkujdesur Rzon. “Yjet dalin natën” është publikuar me videoklip, teksa po pritet mirë nga komentuesit në rrjetet sociale, të cilët shprehen të lumtur për bashkëpunimin e tyre.

Ledri Vula ka bashkëpunuar më herët me të dy artistët në projekte të veçanta si “Marr” me Majk apo “DMP”, “Win Win” me Capital T. Majk dhe Capital T kanë bashkëpunuar me “Pasha jetën” rreth 5 vjet më parë dhe “Hala” në vitin 2019, një projekt për të cilin u përfolën se më vonë solli edhe krisjen mes tyre.

Mesa duket hatërmbetja i përket së shkuarës dhe muzika ka gjetur gjuhën e pajtimit. “Yjet dalin natën” pozicionohet në vend të 83-të të listës.