Butrint Imeri është rikthyer më fuqishëm se kurrë këtë verë. Ndërkohë që verën e kaluar ai goditi në shenjë me projektin e tij “E jona”, e cila padiskutim mund të konsiderohet si një ndër hitet e verës së kaluar, Butrinti është i vendosur që të pushtojë tregun këtë verë. Butrinti është i vetmi artist i cili është pjesë e “Top 10” me tre këngë në klasifikimin e kësaj jave të “The Top List”.
Vetëm dy javë më parë, Butrinti ka publikuar “Bella”, një projekt muzikor i cili ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut. Gjatë kësaj jave, kjo këngë ka thyer rekord duke u ngjitur me 48 pozicione. Falë votave të publikut, “Bella” për këtë javë pozicionohet në vendin e dytë.
“Veç per mu”, një tjetër këngë e Butrint Imerit, e cila prej 12 javësh është pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Gjatë kësaj javë, ky projekt muzikor është ngjitur me 1 pozicion, duke u renditur në vendin e 7-të. Pavarësisht se në klipin e kësaj kënge, artisti është shfaqur në një ambient dimëror me borë, kjo nuk i ka ndaluar aspak fansat të shijojnë ritmin e këngës edhe në temperaturat e larta të kësaj vere.
E publikuar rreth 2 muaj më parë, “Mona Lisa” është një tjetër prodhim i këngëtarit, i cili ka rezultuar tepër i suksesshëm në treg. Prej 9 javësh, kjo këngë është pjesë e listës zyrtare të “Top Awards”, ku nga java në javë është parë të ngjitet sa më në majë të klasifikimit. Gjatë kësaj jave “Mona Lisa” është ngjitur vetëm me një pozicion, duke u renditur në vendin e 9-të.
Duket se Butrinti ka korrur të njëjtin sukses si Ledri Vula, projektet e të cilit gjithmonë janë pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Rreth 9 muaj më parë, Ledri Vula ka qënë pjesë e “Top 10” me tre projekte muzikore ashtu sikurse edhe Butrinti këtë javë. “A jena mire”, që në javën e parë të publikmit mbante vendin e dytë në atë kohë. Ndërsa dy bashkëpunimet e tij me Flori Mumajesin “Beautiful” dhe “Nuk ma la” pozicionoheshin përkatësisht në vendin e 8-të dhe të 9-të.